KSHH: Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit dobësojnë pavarësinë e Gjyqësorit dhe të Drejtën për privatësi

136

KSHH: Ndryshimet e propozuara në ligjin për policinë e shtetit dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe rrezikojnë të drejtën për privatësi

Një grup organizatash të shoqërisë civile, në mbështetje të reagimeve të mëparshme, pasi u njohën me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, të depozituar nga Këshilli i Ministrave në Kuvendin e RSH dhe të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit (pjesë e paketës ligjore anti-kçk), shprehin shqetësimin si vijon: Organizatat e shoqërisë civile, ashtu si në të kaluarën mbështesin çdo nismë që synon të intensifikojë luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe të konsolidojë sigurinë publike në vendin tonë. Me shqetësim vërejmë se, projektligji i propozuar, ashtu sikurse më herët edhe akti normativ me fuqinë e ligjit i miratuar në dt.31 Janar të këtij viti nga Këshilli i Ministrave, janë hartuar pa transparencë dhe pa konsultim publik paraprak me përfaqësuesit e organizatave vendase të shoqërisë civile. Organizatat e shoqërisë civile vërejnë se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, ashtu sikurse akti normativ përmban dispozita që ngrenë dyshime serioze për cënimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Konkretisht: Neni 2 i projektligjit (njësoj si neni 8 i aktit normativ). Në këtë dispozitë propozohet që organe të pavarura kushtetuese, sikurse është Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar. Komiteti Koordinues, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e pavarur të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Çdo rregullim i ri ligjor është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese se nuk është i mjaftueshëm dhe jo kushtetues, nëse nuk garanton shmangien e ndikimeve që mund të ushtrojë pushteti ekzekutiv në çështje që lidhen me dhënien e drejtësisë nga gjykata.”.  Neni 4 i projektligjit ndryshon nenin 131 të ligjit në fuqi për policinë e shtetit, ku parashikohet se gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, Policia përdor masat e parashikuara në shkronjat “a” – Përgjimi ambiental, “b” – Përdorimi i pajisjeve teknike për fotografim, filmim, video, “c” – përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve” dhe “ç” mbikqyrjen e fshehtë. Në ndryshim nga ligji në fuqi, për të zbatuar këto masa, nuk kërkohet autorizim nga prokurori. Ndërkohë që për masat e parashikuara në gërmat “a”, “b” dhe “ç”,  mund të zbatohen bazuar thjesht në miratimin nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

Parashikimet e nenit 131 të projektligjit, dhe heqja e autorizimit të prokurorisë për të dhënë këto masa, në vlerësimin tonë bien ndesh me nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale. Lidhur me masat e propozuara në nenin 131, dëshirojmë të sjellim në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që ka penalizuar në një rast të ngjashëm Hungarinë (vendim i dt.12 Janar 2016, në çështjen Szabo dhe Vissy kundër Hungarisë). Në këtë çështje, Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) vlerësoi se aktivitetet e gjera të përgjimit sekret që ishin kryer nga Task Forca Hungareze Anti-Terror kishin shkelur të drejtat e aplikantëve. Task Forca Hungareze u krijua nën ombrellën e strukturave të policisë, bazuar në legjislacionin antiterror të vitit 2011.

GJEDNJ konstatoi shkelje të Konventës Evropiane e në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, pasi Hungaria nuk kishte garantuar mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor mbi veprimet përgjuese të Task Forcës si dhe nuk kishte garantuar masa të tjera mbrojtëse të sakta dhe efektive. Në rastin e Shqipërisë, dispozitat e parashikuara përbëjnë akoma më shumë shkelje flagrante të Konventës Evropiane (KEDNJ), pasi në ndryshim nga Hungaria, vendosja e masave të veçanta nga policia e shtetit por pa autorizim të prokurorisë, nuk është kufizuar vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit por është për çdo vepër penale.

Lidhur me propozimin e bërë në pikën 4 dhe 5 të nenit 131 të ligjit (sipas projektligjit), vlerësojmë se caktimi i kompetencave të tilla të përbashkëta, mes Ministrit përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dobëson kontrollin e gjyqësorit mbi ekzekutivin, dobëson pavarësinë e gjyqësorit, vendos gjyqësorin nën ndikimet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe mund të çojë në cenimin e të drejtave të shtetasve, përfshi këtu në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, të sanksionuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.