Kryetarja e LSI Durrës, Kuçi: Në Durrës fitorja më e thellë kundër Mafies

692
Sigal

Zonja Kuçi, LSI Durrës sapo ka ngritur strukturat e saj të reja drejtuese. Cila është filozofia juaj e punës?

LSI tashmë ka ngritur strukturat e saj drejtuese në të cilat ka një risi. Një pjesëmarrje të madhe të intelektualëve me emër në Durrës, profesionistë nga të gjitha fushat, ekonomistë, juristë, doktorë, madje edhe kampionë të Shqipërisë pjesmarrës në lojra olimpike.

Ky ekip, me kaq shumë intelektualë, njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional është padyshim ekip fitues. Kjo është ajo që Durrësi meriton dhe ka pritur prej kohësh.

Motoja e këtij ekipi është t’ia kthejmë Durrësin banorëve të tij. T’i kthejmë qytetarinë, t’i shërbejmë qytetarëve, të zgjidhim problematikat më imediate për qytetit por edhe ato afat-gjatë për zhvillimin e Durrësit, që dikur ishte taverna e Adriatikut dhe që sot për shkak të sektit të betonit dhe korrupsionit është rrënuar dhe degraduar në gjendje të mjerueshme dhe familjet e thjeshta janë në kushtet e mbijetesës.

Filozofia jonë është t’ia kthejmë Durrësin qytetarëve dhe jo më zuzarëve.

Cilat janë problematikat më imediate që ka Durrësi?

Durrësi është qyteti më i prekur nga dy goditjet që nisën vitin e kaluar, si me tërmetin ashtu edhe me pandeminë. Por këto ishin goditjet e fundit pasi Durrësi prej vitesh ka vuajtur nga papunësia, nga përmbytjet e rrugëve, betonizimi, penaliteti ndaj biznesit, largimi i rinisë, mungesa e një plani zhvillimor si për Turizmin ashtu edhe për sektorë të tjerë.

Sekti i betonit dhe korrupsionit ka zhvatur familjet e banorëve të Durrësit, duke ngopur me taksat  e tyre një grusht njerëzish pranë Bashkisë e qeverisë dhe duke varfëruar banorët e thjeshtë.

Ne do mbështesim të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, jo në mënyrë selektive sic ka bërë Bashkia dhe rilindja por të gjithë pa dallime në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

Do mbështesim biznesin e vogël dhe të madh, jo duke e parë si armik e duke e terrorizuar me gjoba por do jemi në krah të sipërmarrësve.

Do hapim vende te reja pune për rininë e Durresit që është e papunë dhe e pashpresë. Do mbështesim turizmin me plane konkrete zhvillimi dhe jo me klientelizma ku disa përfitojnë nga krahët e ngrohta dhe lidhjet mafioze me bashkinë dhe të tjerët mbeten në kushtet e mbijetesës.

Me mijëra vende pune janë humbur gjatë vitit 2020, mbi 51% e bizneseve kanë ulur qepenat.

Kjo gjendje e mjerueshme me autor Rilindjen do marrë fund më 25 prill, ku shuplakën më të madhe, sekti i betonit dhe korrupsionit do e marrë në Durrës.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për zgjedhjet e ardhshme?

25 prilli nuk është vetëm një ditë zgjedhjesh, por një ditë historike. Dita e rikthimit të shpresës. Pasi kjo nuk është një betejë politike, është një mision.

Mision për të mbrojtur Shqipërinë, për të mbrojtur Durrësin, për t’i kthyer njerëzve të thjeshtë sovranitetin dhe dinjitetin. Për ta kthyer vendin në shinat e demokracisë dhe integrimit evropian. Ky mision do korrë fitoren më të madhe në Durrës.

Ky nuk është vetëm parashikim. Ky është fakt.

Atë ditë Durrësi do çlirohet nga sekti i betonit dhe korrupsionit, nga mafia qe e ka kontrolluar prej vitesh, dhe e gjithë Shqipëria do ketë sërish shpresë dhe të gjithë së bashku do punojmë për një te ardhme më të mirë, për Durrësin tonë dhe Shqipërinë tonë.