Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua me ambasadorin e ri të Brazilit, z. Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas

904
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Federative të Brazilit në Republikën e Shqipërisë, z. Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas.

Në këtë takim Kryetari i Kuvendit e uroi ambasadorin për detyrën e tij të re në Shqipëri. Z. Ruçi rikonfirmoi interesin dhe angazhimin e Shqipërisë për nxitjen e marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh me Brazilin. Për z. Ruçi, fakti që të dy vendet sapo kanë emëruar ambasadorë të rinj, përbën një moment të duhur për konsolidimin e këtij bashkëpunimi.

“Brazili është një nga ekonomitë më të fuqishme në botë, me investime të mëdha në rajone të ndryshme të botës, anëtar i fuqishëm i grupit BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut), i cili po afirmohet si një grup i fuqishëm ekonomik, politik dhe kulturor në botën e sotme”, – u shpreh në takimin me ambasadorin Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili nënvizoi gjithashtu se Shqipëria është e interesuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, intensifikimin e dialogut politik dhe rolin e diplomacisë parlamentare, si instrument i rëndësishëm për jetësimin e bashkëpunimit me Brazilin.

“Në Kuvendin e Shqipërisë është krijuar Grupi i Miqësisë me Brazilin, i cili mund dhe duhet të bëhet promotor i bashkëpunimit midis të dy vendeve”,- i tha z. Ruçi ambasadorit.  Kryetari i Kuverndit theksoi se Kuvendi do të kontribuojë për shtimin e  kontakteve të drejtpërdrejta dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor e shkencor midis të dy vendeve dhe rritjen e investimeve braziliane në Shqipëri, në fusha si bujqësia, turizmi, infrastruktura, energjia, etj.

“Marrëveshjet, bashkëpunimi dhe miqësia midis të dy vendeve”,- nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, “shkurtojnë distancën gjeografike midis vendeve tona”. “Për këtë”, – vijoi z. Ruçi, “mund të mbështesin edhe dhomat dypalëshe të hapura në të dy vendet”. Z. Ruçi shprehu kënaqësinë për mbështetjen nga Brazili të kandidaturës së Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2022-2023.

Ambasadori Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për vullnetin për nxitjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Brazilit dhe theksoi se bashkë me institucionet shqiptare do të eksplorojë fushat e mundshme të zgjerimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Brazilit, sidomos rritjen e investimeve braziliane në Shqipëri.

Ambasadori Chagas nënvizoi se Brazili vlerëson rolin e ndjeshëm konstruktiv të Shqipërisë në zhvillimet rajonale e më gjerë, në përballimin e sfidave të botës së sotme. “Kam një arsye më shumë për të shërbyer në Shqipëri dhe nxitur bashkëpunimin Shqipëri-Brazil, nënvizoi Ambasadori Chagas. Bashkëshortja ime është arbëreshe dhe rrjedh nga familja e poetit të madh De Rada. Detyra në Shqipëri është ndër momentet më të gëzueshme të jetës sime dhe unë do t’i përkushtohem maksimalisht nxitjes dhe fuqizimit të marrëdhënieve e bashkëpunimit midis të dy vendeve”, – ishin fjalët e ambasadorit të ri të Brazilit.