Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë z. Wolfgang Sobotka

556
Sigal

Presidenti Sobotka: Opozita e ka vendin në parlament

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi priti sot Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë z. Wolfgang Sobotka, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Shqipëri.

“Shqipëria dhe Austria janë dy vende mike e partnere, me marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera. Këtë e treguan edhe vizitat e kohëve të fundit në Austri të Presidentit z.Ilir Meta dhe Kryeministrit z.Edi Rama. Marrëdhëniet tona i kanë rrënjët thellë, në miqësinë e fortë dhe respektin e ndërsjelltë midis popujve. Ne, i jemi mirënjohës Austrisë edhe për mbështetjen për realizimin e reformës së sistemit të drejtësisë, si një reformë e guximshme dhe unike dhe ndër arritjet më të spikatura të Shqipërisë në vitet e fundit”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit z. Ruçi.

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi,  i shprehu Presidentit z.Sobotka vlerësimin e lartë për mbështetjen e Austrisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sidomos gjatë Presidencës Austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe mirënjohjen për angazhimin personal për mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Austrisë, nxitjen e dialogut politik të nivelit të lartë, fuqizimin e bashkëpunimit dhe diplomacisë parlamentare.

Presidenti Sobotka është  bërë vitet e fundit ndër nxitësit e kontribuesit më të mëdhenj të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE-së, si edhe për rritjen e rolit të Austrisë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi, i kërkoi homologut austriak mbështetje për organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit, në vitin 2020 në Shqipëri.

Ruçi e njohu Presisdentin Sobotka, mbi axhendën tonë evropiane, me fokus të veçantë në reformën e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformën zgjedhore dhe mori garancinë për vazhdimin e mbështetjes së Austrisë për hapjen e negociatave në vitin 2019.

Gjithashtu, në takim u diskutua mbi mbështetjen reciproke të kandidaturave të të dy vendeve për kryesimin e organizatave ndërkombëtare: kandidaturën e Shqipërisë për Presidencën e OSBE të vitit 2020 dhe kandidaturën e Austrisë në Grupin Rajonal të Evropës Perëndimore të Kombeve të Bashkuara në 2027-2028, si dhe mbi rëndësinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetjen e Shipërisë, të Austrisë dhe të BE-së, që ky dialog të përfundojë me sukses.

Gjatë takimit u fol dhe për bashkëpunimin ndërparlamentar, konkretisht mbi programin për rritjen e kapaciteteve të administratës së Kuvendit përmes praktikave të punës së stafit,  pranë Parlamentit të Austrisë.

“Austria është e lidhur ngushtë me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”- vuri në dukje Persidenti Sobotka.  Ai shtoi: “ Duke u nisur nga historia ballkanike dhe përvoja jonë me këtë rajon, ne nxisim përpjekjet qe bëhen nga vendet  e rajonit për kalimin nga konfliktet në ndërtimin e partneritetëve për zhvillim. Fati i ballkanasave është më shumë në dorë të tyre. Austria mbështet nxitjen e kontributit të të rinjve e të vendeve të Ballkanit, në procesin e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit midis këtyre vendeve. Një Ballkan i sigurt dhe i zhvilluar, do të thotë një  Europë e sigurtë dhe e zhvilluar. Unë do t’ju jepja dy këshilla: bëni kujdes me vendet skeptike për Shqipërinë, në mënyrë që ato të qartësohen për arritjet tuaja dhe përpiquni që Ballkani të shndërrohet në një hapësirë ekonomike e unifikuar, duke hequr barrierat midis jush,  si ballkanas”, nënvizoi Presidenti i  Këshillit Kombëtar të Austrisë z. Wolfgang Sobotka. Presidenti Sobotka u ndal edhe në situatën në Shqipëri. Ai rekomandoi që :“Shqipëria ende ka nevojë si për dorën e shtrirë të Qeverisë, ashtu edhe për kontributin parlamentar të opozitës. Opozita e ka vendin në parlament.”

Në takim u diskutua edhe mbi përvojën e parlamentit të Austrisë mbi bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët. Projekti “Punishtja  e Demokracisë”, që po zbaton aktualisht Parlamenti  Austriak është një instrument për rritjen e aksesit të publikut, qytetarëve dhe shoqërisë civile, në procesin demokratik.  Kjo përvojë mund të zbatohet edhe në Shqipëri. Në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit ndërparlamentar, Kryetari z.Ruçi dhe Presidenti z.Sobotka ranë dakord për rritjen e mbështëtjes së Parlamentit Austriak për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të adminsitratës së Kuvendit të Shqipërisë.

Takimi i ngrohtë, miqësor dhe shumë  i suksesshëm , midis Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, dhe Presidentit të Këshillit Kombëtar të Austrisë z. Wolfgang Sobotka, i hap rrugë fuqizimit të bashkëpunimit në të ardhmen.