Kryetari i Kuvendit Meta priti Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari

506
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, z. Hilmi Jashari. I pranishëm në takim ishte edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani. Duke i uruar mirëseardhjen z. Jashari, Kryetari i Kuvendit u shpreh se Avokati i Popullit, si institucion i dalë nga Parlamenti, janë në bashkëpunim të vazhdueshëm në interes të proceseve demokratizuese të vendit dhe në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe të drejtave të qytetarëve.
Avokati i Popullit të Kosovës, z. Jashari duke falenderuar Kryetarin për realizimin e këtij takimi, vlerësoi bashkëpunimin shumë të frytshëm mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Avokatit të Popullit të Shqipërisë, kjo jo vetëm sa i përket shkëmbimit të eksperiencave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit, por edhe në mbështetjen që Avokati i Popullit i Shqipërisë jep për anëtarësimin e Ombudsmanit të Kosovës në rrjete ndërkombëtare, siç ishte anëtarësimi në Rrjetin e Ombudsmaneve të Mesdheut. Gjatë takimit, u diskutua mbi organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve të Avokatit të Popullit dhe dy Kuvendeve. Z. Meta u shpreh se veprimtaria e Avokatit të Popullit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, përballet me sfida. Meta vlerësoi se këto institucione kryejnë një punë të lavdërueshëm në funksion të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të cilat, duhet të kenë gjithë mbështetjen e të dy Parlamenteve.
Sigal