Kryetar i Frontit të Majtë, Marko Dajti: Votoni masivisht për të shporrur neofashistët e Rilindjes që kanë zaptuar Partinë Socialiste

389
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Fronti i Majtë, i angazhuar fuqimisht në zgjedhjet e 25 prillit, i bën thirrje popullit shqiptar të votojë masivisht për të shporrur neofashistët e Rilindjes që kanë zaptuar Partinë Socialiste, kanë pushtuar shtetin dhe po grabisin e po shesin çdo ditë pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kujtohuni për të gjitha ato që keni hequr në kurriz për tetë vjet me radhë nga banditët me kollare në qeveri dhe banditët me kobure në rrugë.
– Ju, që sot mbani familjet me një biznes të ndershëm, mos harroni gjobat për kupona, gjobat për duhanin, taksat e larta, zhvatjet e grabitjet ditën për diell nga njerëzit e shtetit, që falimentuan mijëra biznese.
– Ju, qytetarë që dilni në rrugë çdo ditë, mos harroni gjobat që ju presin sapo dilni nga shtëpia. Policët plotësojnë normën e gjobave, të detyruar nga eprorët e tyre, dhe na mashtrojnë se gjoja do na shpëtojnë nga Covidi.

“Votoni masivisht për të shporrur neofashistët e Rilindjes që kanë zaptuar Partinë Socialiste, kanë pushtuar shtetin dhe po grabisin e po shesin çdo ditë pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”

“Mos e shisni votën, se kjo do të thotë të shisni nderin tuaj dhe të familjeve tuaja, gjakun dhe djersën tuaj, bukën e fëmijëve. Ato para nuk do t’ju shpëtojnë jetën, por do t’ua bëjnë edhe më të zezë”

– Ju, pensionistë, mos harroni që gjatë 8 vjetëve ju mashtruan se do t’ju rrisin pensionet dhe në të vërtetë ju kanë lënë në mjerim.
– Ju, që ju prishën shtëpitë dhe ju lanë mes katër rrugëve, mos harroni fadromat që ju solli banda e Rilindjes.
– Ju, bujq që jetoni me djersën e ballit, mos harroni se për 8 vjet, jo vetëm që nuk u dhanë asnjë lek, por ju morën paratë nga xhepi në formë taksash, ju vodhën paratë që Bashkimi Europian i jep si subvencion për të ndihmuar bujqësinë. Paratë tuaja po shërbejnë për të mbajtur haremin e qeverisë.
– Ju, banorë të zonave të prekura nga tërmeti, mos harroni se si ju mashtruan, duke bërë rrush e kumbulla jo vetëm paratë e shtetit, por edhe ndihmat që dha e gjithë bota.
– Ju, punonjës të administratës shtetërore, që shikoni çdo ditë vjedhjet dhe korrupsionin e eprorëve tuaj, mos harroni se ato që vjedhin, janë edhe paratë tuaja.
-Ju, njerëz që jetoni në mjerim, mos harroni se paratë me të cilat po ju blejnë votën, janë gjaku dhe djersa juaj dhe do shërbejnë, që ju të jeni edhe më të varfër, ata të jenë edhe më të pasur.
– Ju, qytetarë të ndershëm të Shqipërisë, mos harroni çfarë ju bëri OSHE, që ju zhyti në borxhe dhe ju detyroi të paguanit edhe nga ato detyrime të prapambetura që iu kishte kaluar afati. Mos harroni se sa shtrenjtë po paguani energjinë, se si ju vjedhin çdo muaj nëpër fatura.
– Ju, socialistë, që nuk keni kërkuar dot asgjë nga kjo qeveri, mos harroni se një bandë ju ka marrë në dorë partinë, për të cilën keni një jetë që luftoni. Vota kundër kësaj bande, është votë që ju të ktheheni krenarë në partinë tuaj, në shtëpinë tuaj, pasi ta keni pastruar nga plehrat e Rilindjes.
– Shqiptarë, mos harroni se me paratë tona paguhen spiunët e rinj të bandës së Rilindjes, patronazhistët, që marrin rrogat në zyrat e OSHE dhe raportojnë çfarë thoni dhe çfarë mendimesh shprehni.
Mos e shisni votën, se kjo do të thotë të shisni nderin tuaj dhe të familjeve tuaja, gjakun dhe djersën tuaj, bukën e fëmijëve. Ato para nuk do t’ju shpëtojnë jetën, por do t’ua bëjnë edhe më të zezë. Po e morën sërish pushtetin, këta kriminelë do të jenë edhe më të rrezikshëm dhe do të na vënë edhe më shumë çizmen në zverk. Kujtoni thirrjen e drejtuesve të të gjitha komuniteteve fetare që të mos shisni votën. Ai që jua blen, është djalli.

“Vota e socialistëve për LSI-në nuk do të jetë për ta një humbje, por një fitore. Do të jetë shansi i madh që të marrin sërish në duart e tyre Partinë Socialiste dhe ta mbajnë të pastër idealin e tyre”

“Ju, socialistë, që nuk keni kërkuar dot asgjë nga kjo qeveri, mos harroni se një bandë ju ka marrë në dorë partinë, për të cilën keni një jetë që luftoni”

Bashkë me votën, do t’ju blejë edhe shpirtin, që të jeni përjetë të skllavëruar. Mos ktheni dorën kundër Zotit, që ka vite që na paralajmëron me tërmete e pandemi dhe na kërkon të shporrim Djallin nga shtëpia jonë. Kemi vetëm një rrugë: Vota jonë, plumb për atë që kërkon të na mbajë të skllavëruar në ferrin e mjerimit. Fronti i Majtë i bën thirrje çdo mbështetësi dhe simpatizanti të idealit të majtë që të votojë kundër nipit të Ahmet Zogut. Edi Zogu dhe haremi i tij duhet të japin llogari për paratë tona që i kanë shpenzuar në ahengje haremi, që i kanë zhvatur dhe i kanë dërguar në parajsat fiskale, që na kanë zhveshur, rrahur, dhunuar, na kanë lëshuar gjoba, dinamit, policë e fadroma. Të gjithë shqiptarët, të dalin për të votuar kundër Djallit, që ka emrin Edi Rama dhe banditëve të tij të Rilindjes. Të gjithë të majtët, të bashkojnë votat e tyre me të vetmen parti me të vërtetë të Majtë që garon në zgjedhjet e 25 prillit: Lëvizja Socialiste për Integrim. Vota e socialistëve për LSI-në nuk do të jetë për ta një humbje, por një fitore. Do të jetë shansi i madh që të marrin sërish në duart e tyre Partinë Socialiste dhe ta mbajnë të pastër idealin e tyre, që është nëpërkëmbur nga banditët, hajdutët dhe perversët e të gjitha llojeve. 25 prilli nuk do të jetë një ditë e zakonshme zgjedhjesh. Do të jetë dita në të cilën do të vendosim nëse duam të jetojmë të lirë apo si skllevër. Do të jetë dita që do të pendohemi për gjithë jetën nëse nuk do të bëjmë zgjedhjen e duhur. Atdheu është në rrezik, shoqëria është në rrezik, familjet dhe fëmijët tanë janë në rrezik, e ardhmja jonë është në rrezik. Të gjithë bashkë, pa asnjë mëdyshje, të votojmë opozitën, të votojmë LSI-në.