Kryeministri sulmon BE/ Rama nga samiti i ‘Open Ballkan’ kërkon llogari: Na braktisët në pandemi, mos e bëni dhe me krizën energjitike

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të përballuar krizën energjitike. Në konferencën për mediat nga Beogradi në ditën e dytë të Samitit të ‘Open Balkan’, Rama tha se Evropa duhet të shpërndajë buxhet ekstra për vendet e rajonit. Referuar skemës së ndarjes së vaksinave, Rama tha se Evropa nuk mund të përsërisë të njëjtën gjë, që t’i lërë jashtë vendet e Ballkanit, siç bëri në kohën e pandemisë. Këtë gjë kryeministri e konsideroi një turp, që nuk mund të përsëritet më. “Ky dimër ka gjasë të jetë më i vështirë që kemi hasur gjithë këto vite, këtu në Ballkan. Nuk është se kemi pasur dimra të lehtë, sot që flasim, në Kosovë ka orë të tëra ndërprerje energjie. Edhe në vende si Britania e Madhe, Franca e Gjermania po paraqiten plane për shkurtime energjie elektrike. Unë përfitoj nga rasti që t’ia drejtoj përsëri Bashkimit Evropian apelin, që të mos bëjë me ne turpin, që bëri në kohën e pandemisë. E mban mend shumë mirë, se si vendet e Ballkanit u detyruan të vrapojnë në Kinë, Rusi e Turqi për të shpëtuar infermierët e të tjerët me radhë me vaksinimin. Sepse BE u mbyll dhe pa vetëm brenda mureve të kështjellës së vet. Duhen ekstra fonde, sepse vendet e BE kanë buxhete, por ne kemi vetëm buxhetet tona modeste. Do t’i drejtohemi me shkrim Brukselit për t’i kërkuar mbështetje financiare ekstra, përveç buxheteve tona. Për Shqipërinë do të thotë të paktën afro gjysmë miliardë euro, për të ruajtur konsumatorin, shpresoj të na dëgjojnë,”- tha Rama. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për krizën energjitike. Në një konferencë me gazetarët, Vuçiç tha se BE duhet t’u ofrojnë ndihmë për të blerë energji. Ai tha se po vjen një dimër i vështirë dhe se kriza energjitike do të bëhet e papërballueshme në ndonjë moment. “Kemi parë që do të ketë ndihmë nga BE, ne do të përpiqemi ta marrim ndihmën e tyre sigurisht. Ndihma e pjesshme për të blerë energji do të jetë e shkëlqyeshme. Natyrisht është një barrë edhe e tyre, sepse duhet t’i mbijetojmë dimrit. Duhet të përdorim kapacitetet e gazit e nuk”- tha Vuçiç. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u pyet se si do të funksionojë ndihma mes shteteve të ‘Open Ballkan’ në lidhje me energjinë elektrike. Ai u shpreh se deri në 31 mars ata do të punojnë me një regjim të jashtëzakonshëm për të siguruar energji elektrike e nëse do të ketë tepricë do ia kalojnë Shqipërisë. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, deklaroi se Turqia e mbështet nismën “Open Balkan”. Ministri ishte i ftuar në samitin që është zhvilluar në Serbi. Ai tha se zgjerimi i BE nuk shihet me të njëjtin optimizëm. Më herët, ishte kryeministri Edi Rama, që ftoi Turqinë, Greqinë dhe Hungarinë t’i bashkohen nismës.

Sigal