Kryeministri Rama ofendon biznesmenët, i quan “minj”

273
Pak orë më parë Kryeministri, Edi Rama ka prezantuar fazën e dytë të luftës antinformalitet, duke i vënë biznesin një herë në rolin e miut e pastaj në rolin e maces. Por bizneset pjesëmarrëse në takim duket se janë fyer nga ky përcaktim i kryeministrit.
“Ne janë gjeneratori i punësimit në vend, i të ardhurave buxhetore dhe ekonomisë shqiptare dhe nuk mund të quhemi minj nga Kryeministri i vendit,” tha i indinjuar pak minuta pas takimit, Nikollaq Neranxi, Presidenti i Shoqatës së Mbrojtjes së Tregtarëve dhe Tregut.
Kryeministri Edi Rama në takimin me biznesin u shpreh,“Një përgëzim publik për Drejtorinë e Tatimeve dhe Doganave dhe posaçërisht për dy drejtueset se në publik marrin vetëm kritika. Puna është absolutisht e lavdërueshme, por jo për tu kënaqur. Dhe një falënderim për sipërmarrësit e mëdhenj që iu bënë partnerë realë kësaj përpjekje. Luftë që vazhdon sepse asnjëherë një sipërmarrës nuk do bëhet macja që kap minjtë e parasë, do mbetet miu për tu kapur nga macja”. Kjo deklaratë sipas bizneseve në takim ka qenë tejet fyese, pasi një kryeministër nuk mund të etiketojë biznesin në mënyrë të tillë qoftë edhe për metaforë.

Biznesi dhe qeveria ndodhen prej një viti në një klimë të tensionuar për shkak të një angazhimi që qeveria ka ndërmarrë për formalizimin ekonomisë. Por Nikollaq Neranxi nga Shoqata e tregtarëve kontaktoi Monitorin në një bisede telefonike ku shpjegoi se ka qenë biznesi i pari që ka kërkuar formalizim, por jo me një fushatë ku të gjitha palët janë të humbur. “Bëni bilancin fazës të së parë. Përtej bizneseve që janë raportuar të regjistruar rishtas, të ardhurat në buxhet nuk janë rritur. Përkundrazi”-pohoi Neranxi, i cili lajmëroi se viti 2016 do të shpërfaqë një rekord falimentesh ne biznese.