Sigal

Kryeministri Rama sillet publikisht sikur ai është kryeprokurori dhe kryegjykatësi i Shtetit, teksa mbeti duke kritikuar deri në përçmim të gjitha institucionet shtetërore.

Pasi tani nuk u beson më asnjë institucioni shtetëror në aftësitë dhe profesionalizmin se mund të zgjidhin problemet, hallet e njerëzve dhe i adreson qytetarët të gjejnë zgjidhjet vetëm tek portali qeveritar që ai komandon, shqiperiaqeduam.al.

Kohë më para kryeministri i cilësoi nëpunësit e shtetit “shushunja”, ndërsa dje kryeministri Rama i cilësoi institucionet shtetërore si klube interneti. Kryeministri Rama gjatë një takimi me mësues të portalit “Mësues për Shqipërinë” ka deklaruar se do ndalojë përdorimin e celularëve në zyrat e administratës së shtetit dhe në shkolla. Sipas kryeministrit Ramës, celulari do ndalohet për punonjësit e administratës, nxënësit e shkollave dhe mësuesit.

“Nuk do lejojmë celularin në shkollë, as për mësuesit. Do duhet t’i dorëzojnë e t’i marrin në fund të mësimit dhe muajin e parë do e bëjmë muaj edukimi. Nga muaji i dytë celularët hidhen në plehra, nuk i kthehen më atij që e ka ,se janë ndotës të rrezikshëm të mjedisit arsimor”, tha Rama. Ndërsa lidhur me ndalimin e celularëve në administratë, ai shtoi se kjo bëhet pasi institucionet janë kthyer në klube interneti. “Celularët do i heqim nga institucionet e shtetit, janë bërë si klube interneti”, shtoi Rama.

Interesant mbetet zbatimi i kësaj nisme të Ramës, pasi nuk dihet ende, nëse punonjësit, nxënësit dhe mësuesit do i dorëzojnë celularët te roja, para hyrjes në institucion apo do krijohet një zyrë e re që do merret me administrimin e bazës materiale.