Kryeministri kundër ndërkombëtarëve/ Ç’punë ka ambasadori britanik me zgjedhjet? Yuri Kim nuk ka nevojë të më tregojë detyrën! Gahleri një provincial!

131
Sigal

Kryeministri Rama sulmon zyrtarin e lartë të PE-së Michael Gahler: Nuk e njoh, furnizohet nga SHQUP-i

Kryeministri Edi Rama, komentoi dje për herë të parë deklaratat e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler, i cili i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të mos përgojojë BE-në por të plotësojë kushtet për anëtarësim. Kryeministri Rama: Unë nuk e njoh dhe nuk kam përse t’i përgjigjem. I marr me rezervë citimet. Këto të gjitha që rreshtove janë përrallë nga e kaluara. Nuk kanë lidhje me realitetin. Si mund të përdoret njëherë termi përgojim?! Këto të gjitha janë përgojime krejtësisht të pabazuara në fakte të vendit tonë. Për këto nuk fajësoj Koordinatorët e BE. Unë e di kush është fajtori. Janë ata që nxjerrin rrugëve të botës tërë llafet e zeza për Shqipërinë.

 

Duan të vijnë në qeveri me pseudo-programe që janë ofendim i madh i njerëzve. Nuk kam përgojuar BE-në, kam thënë atë që thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë thonë? E dëgjoni çfarë thotë presidentja e KiE? Kjo situatë u krijua nga një qasje dritëshkurtër e palogjikshme, urdhëro ku janë rezultatet. Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i PE nga unë. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana. Mbështeten nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu. Edhe nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Për kë flet ai për shokun e vet?! Do na tregojë se ne nuk meritojmë vaksinën pse nuk kemi dakordësi për zgjedhjet e 2019-ës? Apo do na mësojmë që ne nuk meritojmë të vaksinohemi njësoj si në Gjermani dhe në Francë pse nuk kemi rënë dakord për 5 qershorin. Për fat të keq janë produkt “Made in Albania”, dezinformim dhe manipulim i njëanëshëm. Për ca jemi ne këtu, të hamë bar dhe të mos hapim gojën, kur shohim një fakt. Mos harroni, që jeni shqiptarë, në radhë të parë!

Rama shpërthen ndaj ambasadorëve në Tiranë

 Ç’punë ka ambasadori britanik me zgjedhjet? Yuri Kim s’ka nevojë të më tregojë detyrën!

Tensioni i kryeministrit Rama nw konferencwn e djeshme  ishte i dukshëm, kur u pyet lidhur me listat zgjedhore dhe përfshirjen e elementëve kriminalë në zgjedhje, një fakt që ka ndodhur në të shkuarën me kandidatë të Partisë Socialiste, që kanë rezultuar të dënuar për vepra penale. Duke u përgjigjur lidhur me qëndrimet e ambasadorëve, që kanë kërkuar që në lista të mos ketë kriminelë, pasi krerët e partive do të mbajnë përgjegjësi personale, Rama shpërtheu në mënyrë të pashpjegueshme ndaj tyre. Fillimisht ai ngriti pyetjen se ç’punë ka ambasadori Britanik, Duncan Norman,  me zgjedhjet shqiptare, duke i konsideruar komentet e tij, një përfshirje në “bisedat e brendshme të Shqipërisë”.  Kryeministri Rama: Këtë ambasadorin e Britanisë nuk kuptoj fare, përse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri? Kam respekt për të dhe realisht është person që meriton respekt, por nuk e kuptoj përse është kaq i përfshirë në bisedat e brendshme të Shqipërisë,  kur vjen puna tek zgjedhjet? Po e them edhe publikisht këtë sepse i’a kam thënë edhe privatisht!

Më pas, sërish i nervozuar, Rama deklaroi se ambasadorja amerikane, Yuri Kim,  nuk ka nevojë t’i tregojë atij detyrën që ka, duke marrë çuditërisht një pozicion super sovranist, kur në fakt ai për çdo ngjarje sado minimale, i ka përdorur deklaratat e ambasadorëtve për të sulmuar opozitën ose për t’u vetë-lavdëruar. Kryeministri Rama” Nuk ka nevojë të ma tregojë ambasadorja amerikane detyrën time. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane, nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Shqipëri dhe asnjë koordinator i BE-së. E di detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë, kush ka bërë në të shkuarën vepra penale, për të cilat është dënuar, duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje e kam nxitur të shtohet edhe në administratën publike. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin dhe kontrollin e vërtetësisë.