Kryeministri Edi Rama: Për katër muaj Shkodrës i kemi vendosur në dispozicion rreth 20 milionë euro për projekte dhe investime për qytetarët

26
Sigal

Kryeministri Edi Rama tha të hënën nga Shkodra se brenda një periudhe prej 4 muajsh qeveria ka vendosur në dispozicion të Shkodrës rreth 20 milionë euro. Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama tha se “kemi filluar të hyjmë në projektet e rëndësishme, që i premtuam qytetarëve të Shkodrës, që me shumë shpejtësi kanë filluar të realizohen, disa të tjera janë në fazën e projektimit”. “Brenda një periudhe prej 4 muajsh, apo më pak se 4 muajsh po të marrësh punën aktive në zyrë të kryetarit të bashkisë, ne kemi vendosur në dispozicion të Shkodrës rreth 20 milionë euro për fillim”, nënvizoi Rama. Kryeministri Rama u shpreh se “e kam thënë gjithmonë, po iu desh kohë madje, unë nuk besoj që shkodranët në të vërtetë besuan, por pas shumë kohësh kuptuan që ishte një budallallëk i madh që t’i binin fyellit në një vrimë e të prisnin një muzikë tjetër, në njëfarë mënyre nga kjo përfituam ne. Nuk ka rëndësi kjo, ky ndryshim ka ndodhur dhe kthesa ka filluar”. “Shkodra është e vetmja nyje strategjike e zhvillimit të vendit që është e patrajtuar ende. Ndërkohë që nyjet e tjera strategjike kanë akoma shumë punë për t’u kthyer krejtësisht në motor zhvillimi, që punojnë me të gjithë fuqinë e tyre, janë tashmë prej kohësh në funksion të ekonomisë së vendit. Për këtë arsye ne Shkodrën e kemi prioritet dhe do vazhdojmë ta kemi prioritet kryesor”, -tha Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “projekti i hyrjes së Shkodrës po bëhet, është në fazën e parë. Kompania që e ka marrë është e njëjta që ka bërë një pjesë të rëndësishme për Lungomaren e famshme të Vlorës”. Më tej Rama tha se një “kemi një tjetër projekt që është në rrugën e nisjes, atë të kalasë së Rozafës për ta bërë akoma më tërheqëse e të disponueshme për aktivitetet që zhvillohen aty”. Pastaj, vijoi Rama, jemi duke punuar për një projekt tjetër për fabrikën e telave me bashkinë për ta kthyer në një zonë kryesisht për të rinjtë, por edhe për të gjitha moshat, me aktivitete sportive kryesisht. “Por jo vetëm, ishim në bashki dhe pamë projektin e ri që tanimë është bërë gati për të gjithë zonën e Zdrales. Jam shumë i kënaqur që do kem edhe unë dorë në heqjen e atij tregu të tmerrshëm mbrapa stadiumit, sepse pika e kthesës në çdo qytet, qysh nga Tirana që mbaj mend si kryetar bashkie, kur heq këto tregje. Natyrisht do hiqet tregu, por nuk do lihen pa asnjë mundësi ata që janë aty, ajo pjesë e tyre që kanë kualitet në atë punë që bëjnë. Është një investim i madh që prek një aks të tërë, që e lidh gjithë zonën e stadiumit me pjesën qendrore, por që ia vlen dhe që ne do ta bëjmë. Aty ka monumente kulture të rëndësishme, aktivitet tregtar të rëndësishëm, aty ka një potencial shumë të madh që sot për sot nuk duket se është komplet i mbuluar nga e gjithë rrëmujë që është aty”,- tha Rama.