Të martën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga informacionet paraprake të autoriteteve të Kosovës shumica e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore, të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti. Deklarata e fortë u bë ndërsa kryeministri i Kosovës po merrte pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit. Sipas kryeministrit kosovar Albin Kurti, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës. “Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë” – tha Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.






















