Kryemadhi: Situata ekonomike e shoqërore në Shqipëri në gradën e fundit

460
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se situata politike, ekonomike, shoqërore në Shqipëri është në gjendjen e saj të fundit, as të degradimit, por në gjendje kome, e cila as nuk të kthen përgjigje.

“Çdo politikan që jeton në Tiranë, punon në Tiranë, gjithmonë ndihet xheloz për Shkodrën, sepse shkodranët gjithmonë kanë ditur të jenë me atë që është më moderne, më qytetarja, më e bukura, më e mira që sjell buzëqeshjen dhe humorin në shpirtin e çdo shqiptari.

Unë që e vogël kam ndjekur humoristët e Shkodrës dhe vraponim të shtunën me vrap, për të parë dhe kënaqësia më e madhe ishte kur lexonim programin javor që ditën e shtunë ishte Estrada e Shkodrës. Një popull që të gëzon, që ka humor, ku brenda vetes përveç humorit ka dhe kritikën, do të thotë që është një popull i zgjuar dhe mbi të gjitha është një popull i ditur. Prandaj ndihem gjithmonë e respektuar, e vlerësuar që sa herë që vij në Shkodër ndihem një shkodrane për t’i thënë gjërat ashtu siç janë dhe për të mos u ndaluar asnjëherë që të mos bëhesh palë me padrejtësinë, por gjithmonë të jesh me të drejtën dhe të vërtetën në krahë të njerëzve, të burrave dhe të grave që gjithmonë e kanë fituar bukën e gojës me djersën e ballit. Vetëm në Shkodër e gjen këtë gjë, vetëm në Shkodër jo vetëm e stimulon, por ndihesh gjithmonë vetvetja.

Është kënaqësi që sot këtu nga qyteti i Shkodrës, ne të vazhdojmë komunikimin jo vetëm me anëtarët e LSI, jo vetëm me simpatizantët, jo vetëm duke anëtarësuar anëtarë të rinj vajza dhe djem, por duke komunikuar me të gjithë qytetarët shqiptarë.
Sot situata politike në Shqipëri nuk është më vetëm krizë politike, sepse kriza politike është kur politika nuk gjen zgjidhje me njëri tjetrin. Sot situata politike, ekonomike, shoqërore në Shqipëri është në gjendjen e saj të fundit, as të degradimit, por në gjendje kome, e cila as nuk të kthen përgjigje, as nuk të reagon dhe asnjë gjë e saj nuk funksionon. Mjafton të dalësh në dyqanet apo në bizneset e mesme dhe të vogla të Shkodrës që është një qytet shumë i madh, i zhvilluar, i civilizuar, në kufi ku lëvizjet ekonomike, të turistëve janë shumë të mëdha, do të shikosh që bizneset janë drejt mbylljes, biznese të tëra falimentojnë.

Do të shikosh që njerëzit ndihen jo vetëm të frustruar, por ndihen shumë të varfër, që sa herë dhe këdo që takon thonë: nuk del rroga, taksat janë shumë të larta, energjia është shumë e shtrenjtë, çmimi i bukës është shumë i shtrenjtë, nuk na dalin paratë për të ushqyer fëmijët dhe jo më për të shkolluar fëmijët që të garantojnë jetën e tyre në të ardhmen. Kudo që të shkosh, të trokasësh në dyert e spitaleve, do të shohësh që mjek të jashtëzakonshëm, të specializuar, të aftë të thonë së nuk kam çfarë të bëjë sepse për këtë muaj ka mbaruar sterilizimi i veglave dhe nuk kam mundësi të bëj operacione sepse ne dhe operacionet i bëjmë me plan sipas koncesionarëve të Edi Ramës.

Pra dhe nëse një njeri ka një apandesit apo një emergjencë, ne duhet të komunikojmë me kryeministrin tonë, i cili është bërë vetë shkop, vetë Zot, se si shkop është vetë, por është bërë dhe vetë Zot për të vendos dhe fatin e shqiptarëve.
Ne ndihemi çdo ditë dhe më shumë jo vetëm pa shpresë, por çdo ditë e më shumë shqiptarët ndihen pa mburojë, pa shtetin e tyre”.