Kryemadhi: Pensionet dhe pagat nuk rriten pa rritur ekonominë

164
Sigal

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, bashkëbisedim me votuesit për herë të parë në Njësinë nr. 1 në Tiranë!

Dje kam takuar disa punonjëse të bankave të nivelit të dytë, të cilat më përgëzuan për programin tonë. Dhe më thanë që në fakt ekonomia shqiptare vajton sepse drejtohet nga mediokër, apo drejtohet nga njerëz që nuk e njohin ekonominë, që nuk janë ekonomistë. Ekonomist bëhet ai që ka dëshirë për të fuqizuar ekonominë e familjes dhe të popullit të vet dhe të gjithë e dimë që politikanët nuk janë ekonomistë, por janë politikanë dhe dëgjojnë ekspertët në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike të qytetarëve.
Dhe në fakt këtë që kemi bërë ne për rimbursimin me 5 për qind të shpenzimeve apo ‘Nga bebja në bebe’, apo taksën e të ardhmes 1 për qind për arsimin, që shkon direkt në buxhetin e arsimit, por edhe krijimin e një infrastrukture më të mirë, kualifikime me të mira për mësuesit, paga më të mira për ta dhe ky është një avantazh shumë i madh sepse nuk e kemi shpikur ne, por e kanë bërë vende të tjera më të zhvilluara.
Ajo që është me rendësi është pozitiviteti që kanë njerëzit dhe fjalët e thjeshta me të cilat është shkruar ky program. Sepse duke rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, ne kemi mundësi të rrisim pensionet e gjyshërve tuaj. Pensionet dhe pagat nuk rriten pa rritur ekonominë, që shqiptarët të kenë më shumë mundësi për të punuar. Për të pasur profesionistë të aftë për të zhvilluar bizneset e tyre, sepse përndryshe do të ndodhë që ne do të shtrojmë shtatë herë një rrugë, sepse bie një shi dhe në shpenzojmë miliona euro, siç ka ndodhur me rrugën e Borshit.
Ne nuk kemi inxhinierë rrugësh sepse kanë ikur, nuk kemi më inxhinierë nafte sepse kanë ikur dhe i marrim nga shtetet e tjera dhe i paguajmë me paratë e shqiptarëve. Ne nuk kemi më mjek dhe infermierë sepse kanë ikur. Ne nuk kemi më ekonomistë por kemi mediokër që ngatërrojnë fondet e investimit me depozitat bankare, sepse ata kanë ikur.
Prandaj dhe ne ju kërkojmë ju votuesve për herë të parë që të angazhoheni jo thjesht me votën tuaj, por me angazhimin e politikave dhe të jeni gardianët e politikës, në mënyrë të tillë që politikanët dhe partitë politike të mos bëjnë më çfarë të duan, por të jenë të detyruar të jenë shërbëtorë dinjitozë të qytetarëve, e sidomos të votuesve për herë të parë.