Kryemadhi në Shkodër: HEC-et t’i dalin për zot përmbytjes

600
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka vizituar dje banorët e prekur nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Kryemadhi shoqërohej nga zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, dhe deputeti i LSI-së për Qarkun e Shkodrës, Agron Çela. Gjatë takimit me banorët, kryetarja e LSI-së tha se ndodhej në Shkodër për t’u solidarizuar me ta. Ajo vuri theksin te rëndësia e zgjidhjes përfundimtare për të evituar përmbytjen e tokave të banorëve. Kryetarja e LSI-së tha se nuk ndodhej në Shkodër për politikë. Kryemadhi vlerësoi qytetarinë dhe përballimin me dinjitet që shkodranët po i bëjnë kësaj situate të vështirë, teksa u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të solidarizohen me banorët e dëmtuar. “Ne kemi ardhur në emër të Grupit Parlamentar. Kemi ndihmuar me aq sa kemi pasur mundësi për të ndihmuar, kryesisht për koncentrat në bagëti. Kemi ardhur për t’u solidarizuar. Nuk duam ta përdorim për politikë, sepse kjo është një fatkeqësi. Kjo është njerëzore. Ne kemi ardhur si motra dhe vëllai te vëllai. Duam që t’ju tregojmë që të gjithëve dhe të ftojmë, jo vetëm deputetët, por edhe gjithë shqiptarët për t’u solidarizuar me ju. Kemi mësuar nga shkodranët, të cilët i përballojnë me dinjitet vështirësitë, fatkeqësitë. Kemi mësuar nga qytetaria juaj, sepse ju me qytetarinë tuaj përballë indiferencës qeveritare dhe politike, jeni djepi i qytetarisë, djepi i qëndresës së demokracisë. Me mirënjohje dhe respekt për të qenë pjesë e ndihmesës suaj. Unë falënderoj deputetin e LSI për Qarkun e Shkodrës, i cili në çdo moment ka qenë në kontakt me ju, na ka përfaqësuar denjësisht. Ne do na keni gjithmonë krah me maksimumin tonë”, u shpreh Kryemadhi. Sipas saj, është e rëndësishme që të gjendet mundësia për asistencën e tokës, në momentin që kjo tokë është pronë e hidrocentraleve. “Hidrocentralet duhet t’i dalin për zot kësaj lloj përmbytjeje. Pavarësisht emrit që ka qeveria, duhet të merret përgjegjësi për njerëzit e saj, për qytetarët e saj, sepse në fund të fundit ata përfaqësojnë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ndërsa zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama, tha se është përgjegjësi e të gjitha instancave dhe çdo institucioni shtetëror që të jetë në Shkodër dhe t’u gjendet pranë banorëve për të përballuar këtë situate të vështirë. Luan Rama tha se LSI është në opozitë me shkaktarët e përmbytjeve, është në opozitë me hallet e njerëzve dhe LSI është në opozitë që jeta e njerëzve të bëhet më e mirë. “Duhet të thellohet shtrati. Sasia e ujit që vjen gjatë dimrit pastaj mund të kalojë. Nuk menaxhohet me seriozitet dhe gradualisht çështja e derdhjeve nga hidrocentralet. Për të ardhur këtu dhe për të punuar bashkë me ju, është detyrë e çdo instance qeveritare dhe e çdo institucioni shtetëror. Ne jemi në opozitë, por jemi në opozitë me të keqen, jemi në opozitë edhe me shkaktarët që e krijojnë përmbytjen. Nuk jemi në opozitë me hallet e njerëzve, jemi në opozitë që jeta e njerëzve të bëhet më e mirë. Dhe për këtë gjë ne do të flasim në emrin tuaj dhe për interesin tuaj”, tha zv/kryetari i LSI-së Luan Rama.
Sigal