Kryebashkiaku Veliaj: Takim me homologun e Bolonjës:Rrisim bashkëpunimin mes dy qyteteve në arsim, turizëm dhe transportin urban

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti këtë të enjte në Tiranë homologun e tij italian, Kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore. Takimi pati në epiqëndër të bisedave shkëmbimin e eksperiencave mes dy qyteteve të Tiranës dhe Bolonjës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, nënvizoi gjatë këtij takimi faktin se shumë shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Bolonja dhe se tashmë ata kanë një histori suksesi atje dhe janë integruar mjaft mirë. “Bolonja është një shtëpi e dytë për shumë shqiptarë. Më vjen mirë që, edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Bolonjës, Ditjoni, është shqiptar. Jemi në fazën ku shqiptarët janë integruar, dhe qytete si Bolonja, jo vetëm na presin me derë të hapur, por edhe me mendje e zemër të hapur. I kanë bërë shqiptarët të ndihen në shtëpi, të prodhojnë histori suksesi, disa prej tyre janë punëmarrës, disa prej tyre sipërmarrës, disa të tjerë po angazhohen në politikë. Shembulli më ideal i integrimit të një komuniteti emigrantesh është Bolonja, Italia, ku shqiptarët vërtet kanë bërë progres, edhe vërtet janë bërë pjesë e stofit të atij komuniteti.” tha Veliaj. Kreu i Bashkisë ndau me homologun e tij italian edhe lajmin e mirë, atë shtimit të numrit të fluturimeve direkte, jo vetëm me Bolonjën, por me rreth 50 qytete të ndryshme të Italisë, kjo për shkak të fluksit të turistëve italianë drejt Shqipërisë dhe Tiranës. “Shtimi i linjave “low cost” do ta bëjnë më të thjeshtë komunikimin mes nesh. Në vend që të na ndajë Adriatiku, është një det që na bashkon. Italia është shumë e rëndësishme për ne. Rreth 35% e bilancit tonë ekonomik janë shkëmbimet tregtare me Italinë. Është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Por, duam që ashtu siç është në nivel shteti, të jetë edhe në nivel të dy qyteteve tona”, tha Veliaj.

NOA