Kryebashkiaku Veliaj: Po transformojmë Tiranën drejt së ardhmes

495
Sigal

Nga një baltovinë, ku s’ishte investuar prej dekadash, lagja “Besa” në zonën e njohur si ish-“Frigoriferi”, sot ka një infrastrukturë më të mirë urbane. Bashkia e Tiranës përfundoi rehabilitimin e bllokut me sipërfaqe 13 hektarë, ku përfshihen afro 20 rrugë, të cilat janë rikonstruktuar plotësisht. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera, teksa vlerësuan transformimin që ka pësuar sot një nga zonat më problematike dhe të harruara të Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj tha se ky investim dhe puna e bërë këtu është një tjetër provë konkrete se aty ku vë dorë Bashkia e Tiranës, bëhen gjëra shumë të mira për qytetarët. E duke iu referuar debatit për Teatrin Kombëtar, ai theksoi se Teatri i Ri do të bëhet, që aktorët dhe artdashësit të kenë një hapësirë dinjitoze. “Një gjë është e sigurt: Teatri do të bëhet! Do të respektohen të gjitha procedurat dhe do të kemi një teatër të ri. Siç e dëgjuam edhe nga njerëzit, nuk jetohet vetëm me bukë e ujë, as vetëm me asfalt, por edhe me art e kulturë. Në qoftë se kemi sjellë këtë cilësi te Bregu i Lumit, te ish-“Frigoriferi”, te blloku “Besa”, nuk mund të themi që do të rrimë me tallash në qendër të Tiranës, ndërkohë që e kemi bërë kryeqytet Bregun e Lumit”, tha ai.