Kryebashkiaku Veliaj: Fundi i gushtit do t’i gjej qytetarët me rrugë të rikonstruktuara me infrastrukturë modern, që dhe do rris vlerën e pronës

Një tjetër rrugë në kryeqytet, rruga “Xhorxh Ë Bush”, po Rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës. Përveç rrugës, projekti parashikon edhe rikonstruksionin e kryqëzimeve me rrugët “Xhorxhi Martini”, “Myrtezim Këlliçi” dhe “Jeronim De Rada”, si dhe ndërhyrjen në fasadat e objekteve, që ndodhen në anë të saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur me ritmin e punimeve, të cilat janë drejt përfundimit, ndërsa tha se zgjerimi i saj do të lehtësojë edhe trafikun. “Jam shumë i kënaqur nga punimet. Është një nga akset më të rëndësishme dhe më të vështira për të punuar. Ka një akses të jashtëzakonshëm dhe trafik, sepse këtu ndodhen institucionet kryesore, duke filluar nga Komuniteti Mysliman dhe Parlamenti i Shqipërisë, do të thotë se frekuenca me të cilën qarkullohet në Unazën e Vogël, e bën këtë një aks jetik. Nga ana tjetër, është një punë që nuk mund ta shtyjmë më gjatë. Kështu që, momenti ideal për ta përfunduar është ky gusht, që kur qytetarët të kthehen nga pushimet të gjejnë edhe fasadat totalisht të transformuara me termoizolim, sidomos pallatet e vjetra të ish-Kinema “Partizani”. Më vjen mirë që, bashkë me projektin e UNOPS-it dhe të BE-së, edhe ish-ndërtesa që njihet si ndërtesa e Institutit të ish të Përndjekurve, gjithashtu një monument kulture i kategorisë së dytë dhe i gjithë ky hark, që lidh “Rrugën e Elbasanit” me Partizanin e Panjohur, është transformuar totalisht,”- u shpreh Veliaj. “Kur shikon se sa lëviz vlera e pronës, në rritje gjithmonë, pasi ka mbaruar një proces infrastrukture, atëherë ti kupton që ia ka vlejtur gjithë investimi. Rritja e vlerës së pronës në këtë aks, deri te Partizani i Panjohur, me gjithë ato pallate, që përveçse përfituan infrastrukturë horizontale, përfituan edhe infrastrukturë vertikale me veshje me kapotë, lyerjen dhe estetikën, besoj se i kemi bërë një shërbim komunitetit.” – tha Veliaj në fjalën e tij.

NOA