Kryebashkiaku i Tiranës mori pjesë në Konferencën “Forcimi i dialogut mbi financat e qeverisjes vendore”

499
Sigal

Veliaj: “Qyteti ka nevojë të pastrohet edhe pas 30 qershorit, nuk mund të jetë peng i aventurierëve”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Forcimi i dialogut mbi financat e qeverisjes vendore”, organizuar nga Ministria e Financave. Në fjalën e tij, ai vlerësoi organizimin e kësaj konference si një mundësi shumë e mirë për analizimin dhe diskutimin midis palëvë të arritjeve në aspektin financiar të qeverisjes vendore, si dhe për vendosjen e një standardi të ri, të dialogut midis pushtetit qendror dhe vendor, theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit janë shumë të rëndësishme për të vijuar mbarëvajtjen e punëve në qytet. Në këtë aspekt, Veliaj tha se dita e votimit do të jetë një ditë për të ballafaquar idetë dhe për të mbajtur fokusin tek nevojat reale të qytetarëve.

“Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër sepse kështu kemi vendosur. Ndaj, këto 38 ditë është momenti për të reflektuar dhe duhet ta falenderoj publikisht USAID-in dhe Ministrinë e Financave që na ka dhënë dokumentin më të mirë të reflektimit dhe të përballjes me zgjedhësit tanë në 30 qershor”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se nëse zgjedhjet nuk mbahen në datën e përcaktuar, atëherë pas kësaj date nuk mund të ofrohen shërbimet për qytetarët e Tiranës, ndërsa shtoi se qyteti nuk mund të futet në një qorrsokak aventurierësh. “Nuk jemi vetëm një turmë militantësh të kuq dhe blu, por jemi edhe njohës të ligjit, sepse kemi shërbyer 4 vite në bashkitë tona. Ju e dini fare mirë që mbas datës së betimit nuk mund të nënshkruajmë asgjë, as për hapjen e varreve të reja, sepse duam s’duam nesër do të ketë nevojë për varre të reja, as për të çuar qumështin, sepse duam s’duam ne, fëmijët duan të pijnë qumësht në çerdhe e kopshte, kështu që futemi në qorrsokak ligjor prej aventurierësh”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë vetëm për bashkinë, por edhe për entet e tjera që shërbejnë për qytetarët. Ai solli në vëmendje rastin e UKT-së, e cila falë performancës së saj financiare bëri të mundur që të sigurojë vetë kredinë e BERZH-it për të kryer disa investime shumë të rëndësishme. “Jemi në një situatë ku shumë prej SHA-ve tona, siç është UKT ose Tirana Parking, janë likuide nga ana financiare, që mund të aksesojnë vetë tregun e huadhënies dhe kredimarrjes, ndaj që për të gjitha këto arsye, dua t’ju inkurajoj që në datën 30 qershor, mos mendoni që garojmë vetëm për bashkinë, por edhe për entet tregtare të bashkisë, të cilat duke aksesuar kredi të huaja mund të bëjnë më të shpejt shumë prej punëve për të cilat ne do na duhen ndoshta disa mandate për të mbledhur paratë, sikur të ishin këto vetëm nga taksat”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj u bëri thirrje kryebashkiakëve të tjerë që të shfrytëzojnë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet ndaj qytetarëve të tyre. Si fakt për këtë, solli shembullin e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e kopshteve dhe të çerdheve, si dhe punën e bërë për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve. “Unë mendoj që nëse secili prej nesh të ushtrojë autoritetin si drejtues i pushtet vendor, jam i bindur se do të marrim maksimumin edhe nga privatë, të cilët mund t’i adoptojmë për punë të vogla. Kështu bëmë çerdhet dhe kopshtet, po ashtu edhe konviktet”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi edhe reformën administrative territoriale të ndërmarrë nga qeveria që ka sjellë jo vetëm ulje të shpenzimeve, por edhe një administrim më të mire të financave. Gjatë kësaj konference u prezantua edhe “Raporti zyrtar mbi Analizën e Tendencave dhe Performancës së Financave Publike Vendore për vitin 2018”, qëllimi i të cilit është të ofrojë një përmbledhje të reformave të ndërmarra vitet e fundit në fushën e decentralizimit fiskal, një analizë të tendencave dhe zhvillimeve të financave publike vendore me një fokus të veçantë në vitin 2018, si dhe një krahasim të financave vendore në Shqipëri me vendet e rajonit. Në këtë raport, Bashkia e Tiranës vlerësohet si një nga bashkitë me performancën më të mirë financiare.