Kryebashkiaku Dako dhe ministrja Harito promovojnë gjeoportalin kombëtar në Durrës

551
Përdorimi i Hartës Unike Dixhitale, zhduken 90% e mbivendosjes së pronave.
Gjeoportali Kombëtar, i njohurn dryshe edhe si Harta Unike Dixhitale, po përdoret me efikasitet nga zyra Kadastrës, Hartografisë dhe menaxhimit të Gjeoinformacionit në Bashkinë e Durrësit.
Sipas drejtuesve të kësaj zyre përdorimi i Hartës Dixhitale, gjatë 10 muajve të fundit ka ndihmuar në eleminimin e rreth 90% të probleme të shfaqura prej 25 vjetësh me mbivendosjen e pronave.
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito kanë qenë në zyrën e Kadastrës së Durrësit. Ministrja Harito është njohur nga afër me ecurinë e procesit të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi si dhe përdorimin e të dhënave të Hartës Unike Dixhitale në këtë proces.
“Qeveria ka çelur rrugën për zgjidhjen e problemit tashmë 25 – vjeçar të akteve të pronësisë për të gjithë fermerët. Nëpërmjet Hartës Unike Dixhitale dhe gjithë infrastrukturës dixhitale që ne kemi krijuar po zgjidhim sot një problem që krijohej nga hartat e gabuara, problem i cili është e rëndësishme të kuptohet, nuk ishte në terren. Hartat e vjetra krijonin probleme, konflikte dhe ndonjëherë edhe hasmëri e vrasje midis familjeve në një kohë që në terren nuk kishte problem”, është shprehur ministrja Harito pas takimit.
E pyetur nga mediat se sa ndikon Gjeoportali ne zgjidhjen e çështjes së mbivendosjes së pronave ministrja Harito theksoi: “Një pjesë e madhe e problemit të mbivendosjeve i krijuar nga harta të gabuara zgjidhet. Mund të ketë dhe raste nuk përjashtohet, raste mbivendosjesh reale. Në këto raste ka procese gjyqësore të cilët zgjidhin situatën. Por vlerësimi ynë është që rreth 90% e rasteve do të zgjidhen sepse janë raste që nuk janë mbivendosje në terren, janë vetëm mbivendosje të krijuara nga harta të gabuara”.
Nga ana e tij kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako e vuri theksin te rëndësia që ka procesi i marrjes së akteve të pronësisë nga ana e fermerëve: “Eshtë një proces që i jep zgjidhje një punë prej 20 muajsh nga ana jonë por që për 26 vite nuk është zgjidhur por ka krijuar konflikte dhe ka prodhuar nga ana tjetër edhe bllokim të tregut bujqësor, i cili ka qënë i frenuar sepse gjithmonë ka patur përplasje. Kjo i jep mundësi edhe banorëve të legalizojnë edhe banesat që kanë në këto troje. Pra i jep një formalitet gjithë këtij tregu bujqësor dhe i jep një mundësi gjithë fermerëve për ta zgjeruar aktivitetin e tyre”.
Gjatë 10 muajve të funidt, pranë sporteleve të zyrave të Bashkisë së Durrësit kanë aplikuar rreth 1100 qytetarë për të bërë saktësimin ose regjistrimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Deri më tani janë marrë në shqyrtim dhe u është kthyer përgjigje 900 prej këtyre aplikimeve, ndërsa për 140 dosje është plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm tekniko-ligjor dhe janë përcjellë për në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Paralelisht vijon puna për plotësimin e dosjeve të tjera.
Shërbimi topografik në funksion të këtij procesi ofrohet falas nga ana e Zyrës së kadastrës në Bashkinë e Durrësit, përmes teknologjive inovative të Gjeoportalit kombëtar dhe procedurave të zbatuara nga kjo zyrë. Harta Unike Dixhitale dhe të dhënat e saj ka lehtësuar punën e zyrës së kadastrës si dhe ka bërë të mundur ofrimin e të dhënave të sakta gjeohapësinore.
Sigal