Duhet vullnet që të ketë zgjedhje të mira, pasi rezultati i tyre të jep pushtetin.
Teksa ethet e garës elektorale për zgjedhjet e ardhshme vendore kanë nisur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon ndryshime në kuadrin ligjor për të garantuar një proces të drejtë zgjedhor. Përmes një shkrese dorëzuar komisonit parlamentar për Reformën zgjedhore, KQZ shpalos 3 rekomandime që sipas këtIj institucioni mund të realizohen brenda një periudhe 2-3 mujore. Theksi vihet te mënyra e organizimit dhe funksionimit të KQV, KZAZ dhe grupeve të numërimit. E ndërsa financimet e dyshimta të politikës janë bërë qendër debatesh në vend, KQZ kërkon që të vendosen rregulla strikte për financimin e fushatës zgjedhore. Ndërkohë, Kristaq Kume, Drejtues i Aleancës Qytetare për Zhvillim Demokratik dhe ish-kreu i KQZ i pyetur mbi zgjedhjet e ardhshme, nëse do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, u shpreh se zgjedhjet do të jenë më të mira se ato të mëparshmet “Duhet vullnet që të ketë zgjedhje të mira, pasi rezultati i tyre të jep pushtetin. Problemet më të mëdha, të cilat po përballet shoqëria sot është përballimi i problemeve, që shfaqet në procesin zgjedhor. Shqiptarët, shoqëria jonë ka problem përvetësimin e rregullave të qeverisjes sipas asaj që ka kërkuar sistemi demokratik. Ndryshimet që kërkon komisioni ka të bëjë me mundësitë për të rregulluar procedurat dhe zbatimin e tyre për administrimin e procesit. Problemet që kanë të bëjnë me përdorimin e aseteve publike, pasi janë bërë ndryshime në kodin zgjedhor. Po ashtu edhe problemet me financimin e partive politike.”





















