Piketohen zv/ministrat dhe drejtorët e FRD-së

483
Sigal

Nëse fiton Bashkinë e Korçës kandidati i PS-së, FRD-ja do të marrë shpërblim, disa drejtori

Që kur ish- Presidenti Bamir Topi u akuzua se kishte votuar pro Ramës, në zgjedhjet vendore, u kuptua qartë se koalicioni i Majtë që do të konstruktohej në të ardhmen, do të përfshinte padyshim edhe grupimin e dikurshëm të Topit, i cili tani përfaqësohet me FRD-në, duke pasur synime për pjesën e tij, në postet qeveritare.  Por këto ditë është bërë edhe zyrtar, që FRD-ja është në koalicion zgjedhor me PS-në në zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë së Korçës. Zëvendëskryeministri Peleshi, duke inauguruar këtë koalicion PS-FRD, deklaroi se fryn një erë e re në politikë. Nuk di, nëse zëvendëskryeministri Peleshi, e ka fjalën, për erën e re, të kësaj vjeshte, e cila sapo ka hyrë. Sepse për erë të re në politikë, meqë bëjnë koalicion zgjedhor 2 parti të kaheve të kundërta politike, kjo edhe në politikën shqiptare, tashmë është erë e vjetër. Ishte, pikërisht kjo erë e re politike, në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, që kahet e kundërta politike u bashkuan, PD-LSI, ku PS-ja mori të ftohtë dopio pneumonik, e cila e la të paralizuar në opozitë 4 vjet.

Qasja e FRD-së me PS-në është e paralajmëruar

Në fushatën parazgjedhore të 23 Qershorit, Rama disa herë u  përpoq që të bashkonte edhe FRD-në në koalicionin e së Majtës. Mirëpo, përfundimisht, FRD-ja nuk u bashkua, por nuk vajti as me PD-na. 30.000 votat që FRD-ja mori nga elektorati i Djathtë, ishin një ndihmesë e drejtpërdrejtë për PS-në, sepse votat e FRD-së dëmtuan dhe dobësuan shumë PD-në. Ndaj, edhe qasja e tanishme PS-FRD nuk është aspak surprizë dhe, ca më pak, nuk mund të konsiderohet “erë e re në politikë”. Pazare politike, po, këtu mund të pajtohemi edhe me më skeptikët.

Shpërblimi për FRD-në, fillimisht, disa drejtori në Bashkinë e Korçës

Në fillim FRD-ja do të kërkojë postet vendore pastaj sipas shprehjes se “oreksi vjen me të ngrënë”, pretendimet do të shtrihen edhe në institucionet e tjera të shtetit. Duket se projekti i bashkëpunimit midis FRD-së dhe Partisë Socialiste do të jetë afatgjatë. Ka një marrëveshje paraprake midis Topit dhe Ramës, për bashkëpunimin elektoral të tyre në zgjedhjet e Kryetarit të Bashkisë së Korçës. Nëse fiton kandidati i PS-së, Sotiraq Filo, Bashkinë e Korçës, FRD-ja do të marrë disa drejtori në Bashkinë e Korçës, si shpërblim i kontributit që do japë. Kjo politikë u konceptua fare qartë edhe në mbledhjen e Këshillit drejtues të FRD-së, të mërkurën që shkoi, ku konkluzioni politik ishte: “Nga anëtarët e kryesisë së FRD –së u shpreh mendimi se zhvillimet pas zgjedhjeve të 23 Qershorit kanë sjellë konkluzionin se kjo parti duhet të mbështesë forca politike që  përfshijnë në misionin e tyre ndërtimin e shtetit.” Dhe, sipas FRD-së, ato forca që përfshijnë misionin e tyre, ndërtimin e shtetit është vetëm maxhoranca.

 

Së afërmi, FRD-ja, do të marrë edhe poste qeveritare

Bashkëpunimi i FRD-së me PS-në, nuk mbaron vetëm me zgjedhjet lokale në Bashkinë e Korçës. Kjo do të thotë, që edhe shpërblimi politik për shërbimet politike të FRD-së, ndaj PS-së, nuk do të mjaftohen vetëm me disa drejtori në Bashkinë e Korçës. Rama, për të shpërblyer FRD-në për ndihmesën që dha edhe në 23 Qershor, i ka premtuar Topit edhe poste qeveritare, sikurse 2 zëvendësministra dhe drejtori të përgjithshme, të cilat ende nuk janë ndarë, edhe pse Rama nuk kujtohet fare për aleatët e tij tradicionalë, sikurse Gjinushi, Milo, Koçi, Beqiri, etj..

Një grup deputetësh të PS-së, gati të shkëputen drejt LSI-së

Siç duket, gripi i bashkimit të deputetëve  nëLSI, nuk ka prekur vetëm të Djathtën, por me këtë “virus” është “infektuar” edhe grupi parlamentar i PS-së. Sipas burimeve të mirëinformuara që  kemi nga grupi parlamentar i PS-së, bëhet me dije se një grup  prej 11 deputetësh, që janë të pakënaqur nga sjellja e Kryeministrit Rama, i cili nuk i ka vlerësuar, sipas meritës dhe kontributit, me poste qeveritare, mendojnë që të  distancohen fillimisht nga Rama, të qëndrojnë brenda PS-së, dhe më vonë,  kur të krijohen kushtet e rrethanat politike, të shkëputen nga PS-ja, dhe të bashkohen me LSI-në.