Krimi në vend, Demiraj: Policia po flirton me krimin, reagim sa nuk është vonë

667
Vendi është kthyer në një bazë të kriminalitetit. Këtë e faktojnë shifrat e larta të atentateve të kryera kohët e fundit, por edhe të tonelatave të drogës që kalohet përmes detit drejt tregut Italian. Ish-ministri i brendshëm teknik Dritan Demiraj, i cili e drejtoi këtë institucion për tre muaj, ngre shqetësimin se vendi është duke shkuar drejt humnerës. Ai bënë thirrje për një reagim të fortë, duke dashur të thotë se krimi është duke marrë përmasa të mëdha. Reagimin e tij ai e ka bërë në orët e vona të mbrëmjes në rrjetin social Facebook. I drejtohet shtetit për të ndërhyrë në një kohë kur vrasjet dhe përpjekja e grupeve kriminale për të paralizuar policinë janë bërë më se evidente. Ish-ministri teknik duket se merr shkak nga ngjaja e ndodhur paraditen e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ajo e ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku një makinë me xhama të errët u përplas me makinën e policisë. Demiraj ka hedhur akuza të forta edhe ndaj segmenteve të caktuara të organeve ligjzbatuese të vendit. Dritan Demiraj shkruan në Facebook se shteti është topitur përball bandave të armatosura dhe se reagimi duhet të jetë i menjëhershëm duke mos u lënë kohë të përhapen dhe të fuqizohen më shumë. “Të nderuar miq!

Ndjehem shumë i shqetësuar me ngjarjet e fundit kriminale, të cilat janë shenjë e trimërimit të krimit përballë një shteti të topitur nga flirtimi i segmenteve të agjencive të zbatimit të ligjit me grupet kriminale. Duhet sa më shpejtë një reagim i vendosur sa nuk është vonë”, shkruan Dritan Demiraj.
Sigal