“Krimet e 11 majit në Dibër”, Mziu: Në makinën e Agron Malajt dhe Klosit kishte 500 mijë euro. Ngjarjet u fshehën nga manovrat e policisë

28
Sigal

Deputeti i Partisë Demokratike njëherësh dhe drejtuesi i fushatës zgjedhore në Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, foli këtë të martë lidhur me problemet që u hasën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

I ftuar në një intervistë, Mziu i cilësoi zgjedhjet një farsë dhe masakër elektorale.

Mziu shpreh se ka pasur raste të abuzimit me blerje votash, të cilat siç thotë ai, i kanë denoncuar, por policia nuk ka reaguar.

“Kemi punuar në terren masivisht, duke shkuar tek shumica e qytetarëve duke i takuar dhe biseduar me ta.

Kemi pasur një kompozim të atillë kur diferenca e kandidatëve tanë me ata të qeverisë ishte e dukshme, të cilët personifikonin më së miri këtë qeveri, duke e nisur nga personi që drejtonte fushatën që është i përfshirë në dosjen 338 në Durrës, apo tek Agron Malaj, i përfshirë në dosjen 184 të krimit zgjedhor në Dibër në vitin 2017.

E për të vazhduar më tej me platformën qeverisëse që kishte Partia Demokratike, që ishte një nga shanset për ta ndryshuar standardin ekonomi të një familjeje, jo vetëm për ndalim e hemoragjisë së emigracionit, por edhe për t’i rikthyer shqiptarët në vendin e tyre.

 Nuk u arrit të bëhej kjo, pavarësisht se qytetarët nuk vinin në takimet tona për shkak të presioneve që iu bënin me ndihmat ekonomike dhe ishte absurde ku nga paniku ër heqjen e saj shkuan dhe votuan PS-në, votuan edhe duke u dhënë lekë.

Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë si në 11 maj, ku policia, administrata qendrore dhe ajo vendore ishin të fokusuar për t’i trysnuar qytetarët dhe për t’i joshur ata, dhe e arritën këtë me lekë në këmbim të votës, ku vota u ble deri në 300 euro.

E keni pasur edhe në media, siç ishin rastet në Maqellarë ku u kapën dy mjete, njëri i Agron Malajt dhe në të cilin ishin dy eksponentët kryesorë të fushatës bashkë Blendi Klosin kishin lekë me vete, dhe me ndihmën e policisë arritën ta fshihnin shumën e parave që kishin në makinë që ishte diku rreth shumës mbi 500 mijë euro.

Dhe po atë ditë, ngjitur ishte një biznesmen i cili në mjetin e tij u gjetën 4500 dollarë, mbi 1000 paundë, u gjetën lekë, u gjetën më shumë se 4500 litra nafte, pa llogaritur dhe disa kupana të papërdorur, e po ashtu fletë-palosje, lsta votuesish dhe emrash kryefamiljarësh të cilët do të merrnin në këmbim paratë për votat.

Në disa fshatra kemi hasur probleme të tilla por që me manovrat e policisë arritën e i fshehën.

Gjithkund kishte struktura të cilat shkonin ditën dhe natën dhe si në asnjë vend tjetër shkonin dhe shpërndanin ndihmën ekonomike dhe pensionet në derën e shtëpisë.

Kam kapur mbi 12 automjete në shkelje dhe në raste flagrante të  krimeve zgjedhore, asnjë reagim nuk ka pasur as nga SPAK-u ”, u shpreh ndër të tjera Xhelal Mziu.