Kreu i Kuvedit, Ilir Meta ka pritur në takime të veçanta ambasadorët e Polonisë, Egjiptit dhe Malit të Zi

487
Sigal

Kryetari i
Kuvendit, Ilir Meta priti të martën ambasadorin e ri të Polonisë, Karol
Bachura, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re. Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes
dy vendeve tona dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të
Polonisë në procesin e integrimit evropian. Në këtë drejtim kreu i Kuvendit
theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare, veçanërisht në kuadër të
përgatitjes për fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Meta
nënvizoi gjithashtu se Polonia është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë
në BE dhe Kuvendi do të mbështesë intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik,
veçanërisht në fushat e turizmit, transportit dhe bujqësisë. Ambasadori Bachura
shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Shqipëri dhe rikonfirmoi
mbështetjen e plotë të Polonisë në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në
BE. Gjithashtu, ambasadori vuri në dukje se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më
shumë një destinacion popullor turistik në Poloni, dhe në këtë kuadër do të
punohet për rritjen e fluksit të linjave të transportit mes dy vendeve tona.

Meta- Khalil:
Intensifikim i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Shqipëri-Egjipt

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti
dje ambasadorin e ri të Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Khalil, të cilit i uroi
mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re. Në një deklaratë për mediat pasditen
e së martës nga Kuvendi i Shqipërisë, bëhet e ditur se Kryetari i Kuvendit, Meta, në bashkëbisedim me ambasadorin e ri të Egjiptit në
Shqipëri, Mohamed Khalil, vuri në dukje marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë
mes dy popujve tanë dhe nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit
ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. Njëkohësisht Meta vlerësoi rëndësinë e
marrëdhënieve ndërparlamentare dhe shprehu vullnetin për t’i intensifikuar ato
më konkretisht në të ardhmen e afërt. Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri,
Mohamed Khalil, pasi shprehu kënaqësinë e emërimit në Tiranë, theksoi se fokusi
i punës së Ambasadës së Egjiptit do të jetë në thellimin e shkëmbimeve
tregtare, bashkëpunimit në fushat e bujqësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit,
ku të dy vendet kanë potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Në përfundim,
Kryetari i Kuvendit, Meta, u shpreh se
intensifikimi i kontakteve ndërparlamentare duhet t’i shërbejë rritjes së
cilësisë së bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik e
tregtar mes dy vendeve tona mike.

 

Meta pret ambasadorin
malazez: Nxitje projekteve infrastrukturore me Malin e Zi

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti
të martën ambasadorin e ri të Malit të Zi në Shqipëri, Dusan Mrdovic me të cilin
biseduan rreth marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve fqinje, procesit të
integrimit evropian për vendet e rajonit dhe mbi bashkëpunimin ndërparlamentar.
Meta i uroi mirëseardhjen ambasadorit Mrdovic
në Tiranë dhe vuri në dukje se Shqipëria krenohet me modelin e fqinjësisë së
shkëlqyer që gëzon me fqinjin e saj Malin e Zi. Në këtë drejtim kryetari i
Kuvendit theksoi se intensifikimi i marrëdhënieve ndërparlamentare do të jetë
në funksion të përmirësimit të bilancit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve, duke
maksimizuar konkretisht potencialet e mëdha që ekzistojnë. Ambasadori Mrdovic,
shprehu mirënjohjen për ratifikimin e shpejtë të protokollit të anëtarësimit të
Malit të Zi në NATO nga ana e Kuvendit të Shqipërisë dhe vuri në dukje se
marrëdhëniet historikisht të mira mes dy popujve tanë duhet të konkretizohen
përmes projekteve të përbashkëta infrastrukturore e shkëmbimeve tregtare, ashtu
siç është konfirmuar edhe nga Procesi i Berlinit. Në përfundim, Meta nënvizoi
se Shqipëria e mbështet plotësisht progresin e Malit të Zi në proceset
integruese euro-atlantike duke vënë në dukje se dy vendet fqinjë kanë të
njëjtin destinacion, atë të anëtarësimit të plotë në BE.