KQZ nuk ç’regjistron kandidatin e Kurbinit, Altin Biba

473
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e APPD për ç’regjistrimin e kandidatit të Kurbinit Altin Biba.
Me 4 vota pro KQZ nuk e ka miratuar këtë kërkesë.
KQZ dhe Kolegji kanë refuzuar të ç’regjistrojnë Altin Bibën, i cili dha dorëheqjen dhe të regjistrojnë kandidatin e propozuar nga e djathta Ilir Pjetraj.
Tashmë emri i Altin Bibës është në fletën e votimit, çka e bën të pamundur pranimin e kësaj kërkese.
Kurbinasit mund ta votojnë Altin Bibën, por PD ka bërë thirrje që demokratët të bojkotojnë proçesin e votimit më 21 qershor.
Edi Paloka tha pak ditë më parë se “ne e kemi të pamundur të marrim pjesë në këtë proçes për shkak të ndërhyrjes së dyshes Rama-Meta”.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të diskutohet edhe relatimi i Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbi ecurinë e proçesit të regjistrimit të shtetasve, të cilët vuajnë dënimin në disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, për përfshirjen e tyre në listat e zgjedhësve, për numrin e Qendrave të Votimit të posaçme që duhet të ngrihen dhe numrin e zgjedhësve në to, në mënyrë që KQZ të marë masat e nevojshme për prodhimin e fletëve të votimit dhe sigurimin e bazës materiale zgjedhore të nevojshme.
Do të miratohet gjithashtu numri i kutive të votimit rezervë që do të dërgohen në çdo KZAZ.
Tjetër projekt-vendim me rëndësi është dhe ai “Për miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të OSBE/ODIHR”.
Dhe në fund të mbledhjes do të diskutohet raporti i javës së tretë të Bordit të Monitorimit të Mediave.
Sigal