Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit me emra për 12 qarqet e vendit.
Vendimi është marrë nga Komisionieri Ilirjan Celibashi, i cili rrëzoi kështu kërkesën e PS, që kërkonte që fleta e votimit të ishte me numra.
Shqiptarët në 25 prill do t’u drejtohen kutive të votimit me një fletë me emra sikur e kërkonte Partia Demokratike dhe jo me numra sikur e dëshironte shumica socialiste.
“Në vlerësim të asaj që është parashtruar vendos rrëzimin e kërkesës së PS për shqyrtimin e fletës së votimit. Kundër këtij vendimi mund të behët ankim brenda tre ditëve në KAS.”,- tha Celibashi.
Madhësia e fletës nuk ndryshon, nga qarku në qark, 30×60, por madhësia e shkrimit ndryshon nga një qark në tjetrin për shkak të numrit të kandidatëve. Emrat në Tiranë, janë me gërma më të vogla për shkak se janë 36 kandidatë.
































