KQZ/ Celibashi: Emigrantët, po nuk regjistruan adresën, nuk votojnë

278
Sigal

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shprehet i prerë lidhur me votat e emigrantëve, ndërsa shprehet se nuk mund të përfitojnë këtë të drejtë nëse nuk regjistrohen, pra nuk deklarojnë adresën e tyre të banimit. Pak kohë më parë, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, në një raportim në Kuvend, tha se emigrantët do të votojnë pa pasur nevojë të deklarojnë adresat e tyre, ndërsa tha se i takon KQZ të garantojë procesin. Por Celibashi shprehet se të drejtën e votës nuk mund t´a kenë pa deklaruar adresën. “Për KQZ nuk mund ta shprehësh dëshirën e votimit nëse nuk e ke vendbanimin atje ku kërkon të të vijë fleta e votimit. Për KQZ duhet ta kesh këtë status. Se si e merr këtë status në dijeninë time duhet të ndjekësh procedurat që ka përcaktuar qoftë ligji i vitit 2016 dhe aktet nënligjore të qeverisë lidhur me këtë çështje’, tha Celibashi. Informacioni më i fundit i dhënë nga Gjendja Civile në KQZ, është se asnjë emigrant nuk është regjistruar me adresë të saktë jashtë vendit, edhe pse ligji specifik për këtë çëshje është bërë para 4 vjetësh. Sfida tjetër e KQZ-së është përdorimi i pajisjeve elektronike në zgjedhje, me kosto 27 mln euro, nga të cilat qeveria ka dhënë vetëm 20 %. KQZ ka hapur tenderin për blerjen e pajisjeve dhe ju ka dhënë kohë 6 kompanive të aplikojnë deri në 5 janar.