Kosova në Njësinë 9: Përveç PD-së, përfaqësoj dhe socialistët e ndershëm

451
Kandidati i koalicionit të djathtë për kryetar të Bashkisë në Tiranë, Halim Kosova, është takuar pasditen e sotme me banorë të Njësisë 9 në kryeqytet, ku ka prezantuar programin konkret për këtë zonë.
Kosova tha se pikat kryesore të këtij programi janë gjelbërimi, sistemi arsimor, rrugët dhe trotuaret, ulja e taksave për bizneset dhe vëmendja ndaj shtresave në nevojë. Gjithashtu, ai theksoi se qytetarët e Tiranës më shumë se kurrë besojnë tek ndershmëria dhe nuk kanë nevojë për njerëz që janë vegla të partive.
“Më shumë se kurrë banorët e Tiranës besojnë tek ndershmëria. Më shumë se kurrë keni nevojë për njerëz që nuk janë vegla të partive, por që vijnë nga eksperienca të gjata me qëllimin që Tiranën tua kthejnë qytetarëve. Unë vërtetë jam i zgjedhur i PD-së dhe jam krenar, por do përfaqësoj të gjithë socialistët e ndershëm, ata pa parti, të pasurit e të varfrit”, deklaroi kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës.
Më tej ai u ndal konkretisht tek programi i tij për këtë zonë. “Programi im bazohet në pesë kolona: 1- Gjelbërimi, pastërtia; 2- Sistemi arsimor; 3- Rrugë dhe trotuare me standarde; 4- Ulje të taksave për bizneset, ato që ka në dorë bashkia; 5- Shtresat në nevojë, por jo vetëm ato por të gjithë banorët e moshës së tretë. Uljen e taksave 30% si çelësin e suksesit për vende pune. Do sigurojmë ujë pa ndërprerje dhe me parametra dhe cilësi maksimale. Në premtimet e mia, 100 rrugë në 2 vitet e para të gjitha fshatrat do lidhen me rrugët nacionale. Krijimi i 150 metra katrorë sipërfaqe të gjelbra, 40 vende të reja parkingu”, premtoi Kosova.
Ndërkohë, kandidati i djathtë për kryetar të Tiranës, premtoi edhe ambiente për moshën e tretë. “Do të bëj që në çdo lagje apo ndërtim të ri, një kontratë paraprakisht që një ambient i veçantë të jetë për moshën e tretë”, tha ai
Sigal