Konstituohet ‘Antikorrupsioni’/ Opozita bojkot, PS: Të punojmë për të ardhmen e vendit

53
Sigal

Me mungesën e opozitës, Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion u konstitua nën drejtimin e socialistit Fatmir Xhafaj. Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita bojkotoi mbledhjen, por mazhoranca i shtriu dorën e bashkëpunimit dhe i bëri thirrje që të kthehen në tryezë për të punuar për reformat që do çojnë para të ardhmen e vendit.

“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja me rëndësi për qëllimet që do adresojë kjo reformë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit.

Ky komision do adresojë çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, përtej interesit të partive tona,  i shërben forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë”, tha kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj.

Kryetari Xhafaj u kujdes t’i kujtojë opozitës që të mos bëjë gabimin e vitit 2014, kur bojkotoi disa mbledhje të Komisionit për Reformën në Drejtësi, por më pas u kthyen pasi kuptuan gabimin.

“Kjo situatë me sjell një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në 2014 komisioni për reformën në drejtësi, opozita edhe atëherë në 2014, megjithëse e kishte votuar ngritjen nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe disa të tjera. Reflektuan me vonesë dhe përfshinë më pas. Koha tregoi që kolegët tanë të opozitë gabuan dhe kjo u kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj që kjo shistori të mos përsëritet dhe shume shpejt ta kemi opozitën mes nesh”, u shpreh Xhafaj.

E pranishme në mbledhje, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se ky  Komision nuk është për interesa partiake, ndërsa ministrja Elisa Spiropali i tha opozitës se përtej debateve të përditshme politike, ajo që mbetet është puna e mirë në interes të vendit.

“Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak”, tha Lindita Nikolla.

“Vazhdimësia drejt integrimit do të kërkojë plotësimin e reformave. Një nga sfidat kryesore lidhet me domosdoshmërinë për plotësimin e reformave, siç është reforma në drejtësi dhe reformën në administratën publike. Këto masa vijnë si manifestim dhe si besim i joni, se për këtë çështje duhet qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirje. Në BE nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar. Dora jonë për deputetët e opozitës, mbetet e shtrirë”, tha Spiropali.

Edhe Xhafaj u kujdes të thonte se puna në vijim do t’u japë përgjigjen spekulantëve që thonë se qëllimi i këtij komisioni është të kapë institucionet e drejtësisë.

“Kur ne të marrim vendimet e para, të ecim me hapat e parë, do u japë përgjigjen e duhur atyre që kanë spekuluar në dashje apo pa dashje lidhur me qëllimin e këtij komisioni. Deri atëherë duhet të punojmë shumë fort dhe të shohim para”, -vijoi Xhafaj.

Në mbyllje të mbledhjes, Xhafaj tha se do t’i drejtohen ftesë për bashkëpunim, shoqërisë civile, shoqatave të biznesit, Dhomës së Avokatisë, ILD, KLSH, INSTAT e institucioneve të tjera, që të propozojnë emrat e ekspertëve me të cilët do të përfaqësohen në komision për të kontribuar me ekspertizën e tyre.

Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita, por kjo e fundit, të paktën deri tani, vendet e saj i ka lënë bosh. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit. Po ashtu, synimi është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikqyrës dhe llogarikërkues ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.