Sigal

Konfirmohet reportazhi i gazetës “Telegraf i datës 27 nëntor 208 me titullin e madh: “Kurthi: VKM-ja për makinat hyn në fuqi në 2 dhjetor 2018”. Prej 2 dhjetorit, në Shqipëri nuk do të lejohet të importohet asnjë autoveturë me moshë më të madhe se 10 vite, e që nuk përmbush së paku normën e motorit “Euro 4”. Denis Shabani, drejtori i Doganës Durrës pohon: “Pas orës 12 të natës së datës 1 dhjetor nuk do të lejohet importimi i autoveturave, të cilat kanë moshë më të madhe se 10 vite. Padyshim, edhe norma e motorit duhet të jetë Euro 4”. Për mjetet e tjera, si kamionët, autobusët dhe motorët, vjetërsia e lejuar në momentin e importit është 15 vite. Që nga miratimi në qeveri dhe botimi në Fletoren Zyrtare kanë kaluar 30 ditë. Shifrat nuk kanë dalë ende, por paraprakisht, drejtori i Doganës së Durrësit, Denis Shabani thotë se kjo periudhë është shfrytëzuar nga bizneset e tregtimit të mjeteve të përdorura për të rritur importet e autoveturave me moshë më të madhe se 10 vite. Autoritetet kanë lajmëruar zyrtarisht agjencitë doganore për të mos kryer asnjë procedurë zhdoganimi për automjetet me moshë më të madhe se 10 vite. Doganat kanë një apel për qytetarët që të bëjnë kujdes kur të porosisin një automjet të përdorur nga jashtë shtetit. Emigrantët, që ndoshta mund të mos kenë informim, do të ndalohen në dogana, pa u lejuar që të futin në Shqipëri makinat e tyre, nëse duan, që t’i përdorin në Shqipëri përgjithmonë.