Konferenca për Ballkanin në Berlin, shfaqen përplasjet e para

434
Sigal

Nga disa burime bëhet me dije se vigjilja e Konferencës së Berlinit për Ballkanin që do të mbahet në 28 Gusht me nismën e Kancelares Angela Merkel, nuk ka qenë krejt e qetë në kryeqytetin gjerman dhe disa kryeqytete të Ballkanit. Në mënyrë të papritur, shtoi burimi, kabineti i Kancelares ka lajmëruar vendet pjesëmarrëse, se në konferencën përmbyllëse të shtypit Angela Merkel do të paraqitet vetëm me Kryeministrin e Shqipërisë dhe jo më të gjithë kryeministrat e Ballkanit. Reagimi Beogradit ka qenë i menjëhershëm prej ku mësohet të jetë nisur drejt Berlinit edhe një reagim zyrtar me pretendimin se nëse Angela Merkel mund të përfaqësojë Gjermaninë e BE-së, në fund të mbledhjes mbi Ballkanin, kryeministri shqiptar nuk mund të flasë në emër të gjithë rajonit. Mësohet se, reagimi serb nuk ka qenë i vetmi. Edhe dy shtete të tjera, Kroacia e Sllovenia, vende që janë edhe anëtare të BE, nuk kane qenë shumë të kënaqura me këtë surprizë të Merkelit. Por reagimet nuk e kanë lëkundur Berlinin që në variantin përfundimtar të formatit të Konferencës së Shtypit ka bërë vetëm një ndryshim, ka shtuar edhe Presidentin e Komisionit Europian, duke refuzuar çdo diskutim të mëtejshëm për këtë pikë. I njëjti burim diplomatik pohoi se “Vizibiliteti i lartë që Berlini po i rezervon Kryeministrit të Shqipërisë nuk duket se është pa arsye në kancelarinë gjermane”. Vizita e Ramës në Prill në Berlin ishte padyshim një sinjal i fortë nga pala gjermane për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Shqipërinë. Takimi i parë mes Merkel dhe Ramës ka qenë më shumë se sa një shkëmbim i zakonshëm kortezish, ku biseda ka përfunduar me përgjigjen pozitive të kancelares për të vizituar Tiranën brenda një viti. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë plotësisht për të shpjeguar formatin special të Konferencës së Shtypit të 28 Gushtit, aq më tepër me gjermanët që asgjë nuk i’a lënë rastësisë.  Sidoqoftë, cilitdo qofshin arsyet për Kryeministrin Rama rikthimi në Berlin do të jetë përsëri një ditë për t’u mbajtur mend