Presidenti Meta: Krenar, që në një nga periudhat më të errëta të njerëzimit, u rreshtuam në anën e duhur të historisë

110
Sigal

Në kuadër të 77-vjetorit, të masakrës së Tiranës nga pushtuesit nazistë, Presidenti Meta, ka nderuar sot kujtimin e viktimave të pafajshme dhe sakrificat që kanë bërë qytetarët Tiranas, për Çlirimin e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë.

Në një mesazh të përcjellë në rrjetet sociale, Presidenti Meta, tha së ndihet krenar, që në një nga periudhat më të errëta të njerëzimit, populli ynë u rreshtua në anën e duhur të historisë.

 

Mesazhi i tij i plotë :

Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë është gdhendur në memorien historike të kombit, si një nga krimet më të egra çnjerëzore, të kryera veçanërisht ndaj popullsisë civile, nga pushtuesit nazistë dhe shërbëtorët e tyre kuislingë.
Në 77-vjetorin e kësaj date kujtese dhe simbol të vuajtjes e qëndresës së Tiranës heroike, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të lartë, kujtimin e paharruar të viktimave të pafajshme dhe sakrificat e jashtëzakonshme të qytetarëve tiranas, për Çlirimin e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë.
Antifashizmi dhe vlerat patriotike të Luftës, qëndrojnë në themel të lirisë, demokracisë, kontributit tonë në NATO dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Krenarë, që në një nga periudhat më të errëta të njerëzimit, u rreshtuam në anën e duhur të historisë.