Komisioni mbyll hetimin për inceneratorët, do të ketë 2 raporte

205
Sigal

Komisioni parlamentar për “aferën e inceneratorëve” mbylli të premten hetimin disa mujor për ligjshmërinë e procedurave në dhënien e 3 kontratave konçensionare për impantet e përpunimit të mbetjeve. Palët lajmëruan se do të dalin me dy raporte të kundërta më 7 mars. Anëtarët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në komisionin hetimor për inceneratorët votuan unanimisht të premten mbylljen e hetimit parlamentar për këtë çështje, pasi përmbylli seancat e dëshmive me kryeministrin Edi Rama. Kryetarja e komisionit Jorida Tabaku e cilësoi punën e komisionit një sukses në denoncimin dhe faktimin e shkeljeve ligjore në dhënien e këtyre kontratave, ndërsa nënkryetarja Ermonela Felaj tha se në komision u faktuan gënjeshtrat publike të opozitës.“Të tre kontratat konçesionare duke përfshirë edhe atë të Tiranës, që nga formula, mënyra e hartimit të kontratës, por edhe zbatimi është më korruptivja, përbëjnë atë që, besoj për të gjithë qytetarët, gjatë këtyre tre muajve, është bërë e qartë si afera më korruptive e firmosur nga qeveria Rama gjatë 8 viteve të fundit”- tha Tabaku duke folur për punën e komisionit.

Sipas Tabakut, mazhoranca dhe kryeministri Rama bënë mbrojtje politike për kontratat konçesionare dhe pronarët e kompanive që janë persona në kërkim.“Dëshmitarët një nga një kanë dhënë dëshminë e tyre dhe pjesa më e madhe e tyre kanë treguar të paktën, deri në nivelin politik, përfshirjen e tyre”- tha ajo duke i cilësuar dëshmitë e zyrtarëve shtetërore si faktim i “aferës korruptive”.Ajo veçoi dëshminë e kryetarit të Bashkisë Tiranë që sipas saj,  “këtu në betim tha që ka marrë një angazhim pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak”.“Ka nënshkruar një kontratë me pjesën takuese të Bashkisë Tiranë, 91 milionë pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak dhe kjo është shkelja më e rëndë, arroganca më e rëndë që i është bërë ndonjëherë pushtetit lokal në këto vite”- shtoi Tabaku. Sipas Tabakut komisioni ka arritur të provojë, pavarësisht mungesës së dokumenteve zyrtare, se procedurat e ndjekura në dhënien e konçensioneve kanë qënë korruptive. “Ka pasur zyrtarë të guximshëm të shtetit shqiptar, të cilët na i kanë sjellë këto informacione”- tha ajo duke rezervuar dhe një falenderim për zyrtarët që kanë refuzuar të firmosin mbi këto procedura. Mazhoranca kishte një qëndrim krej të kundër me atë të Tabakut për hetimin parlamentar. Nënkryetarja e këtij komisioni, Ermonela Felaj, e komentoi hetimin si një faktim të gënjeshtrave të opozitës për inceneratorët.  Felaj akuzoi opozitën se shkeli ligjin gjatë hetimit, pasi nuk arriti që të ndante hetimin penal nga ai parlamentar.“Ky komision nuk arriti të ishte në performancën e një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision nuk e ndau një hetim parlamentar nga një hetim penal”- tha ajo duke lajmëruar një raport më vete nga pala e mazhorancës. Sipas Felajt, opozita e nisi hetimin duke folur për “inceneratorë fantazëm”, por nga vizitat në terren u vërtetua se “impiantet ekzistojnë dhe sot qytetarët e Tiranës, Durrësit, Fierit, Lushnjës duhet të jenë të ndërgjegjshëm që mbetjet trajtohen në këto impiante”. Komisioni vendosi që më datë 7 mars të miratojë raportin përfundimtar të hetimit, por palët paralajmëruan 2 raporte të ndryshme në qëndrimet e tyre ndaj hetimit. Tabaku u bëri dhe një thirrje të fundit drejtorit të përgjithshëm të policisë, avokates së shtetit, kryetarit të bashkisë Tiranë, bankës Credins dhe disa institucioneve të tjera që të sjellin informacionet dhe dokumentet që u janë kërkuar nga komisioni.