Skaneri i Komisionit Europian e nxjerr Shqipërinë e drejtuar nga Rilindja si vendin me sëmundje të rënda të demokracisë. Shqipëria nuk plotëson asnjë standard europian politik, ekonomik dhe social. Konfirmon mungesën e lirisë në Parlament, për kufizimin e së drejtës kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore nga opozita. Kritika për Komisionin e Reformës Zgjedhore, korrupsionin, krimit e organizuar, abuzimet me fondet e IPARD dhe blerjen e zgjedhjeve
Raporti vlerëson se “skena politike vijon të shënjohet nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”
“Pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz”. Ky është vlerësimi i raportit për Shqipërinë, i cili pritet të miratohet sot në Bruksel. Sipas dokumentit, vendi “ka njëfarë niveli përgatitjeje” në luftën kundër këtij fenomeni, i cili shihet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cënueshëm, të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”. Raporti vë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme në disa raste të nivelit të lartë, por megjithatë Komisioni europian thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”. Të njëjtat vlerësime, për “njëfarë niveli përgatitje”, janë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm”. Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”. Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti. Këto çështje janë pjesë e grupkapitullit të parë me të cilin Shqipëria do të duhet të përballet në momentin e uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhe ato që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrate publike, apo dhe kriteret ekonomike, prokurimi public, statistikat dhe kontrolli financiar. Lidhur me kriteret politike, raporti vlerëson se “skena politike vijon të shënjohet nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”.
Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej, lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë
Ndërsa sa i takon qeverisë, raporti vë në dukje se “ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE”. Lidhur me administratën publike “Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar”,- thekson raporti. Ndërsa sa i takon të drejtave themelore, “përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen”. Raporti flet për një “përparim të kufizuar” në fushën e lirisë së shprehjes, ku vlerësohet se “Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje”. Shqetësimet mbeten të njejta me të kaluarën, ndërsa theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”./ Voa
KE pro kërkesave të opozitës: E drejta për komisione hetimore garantohet nga Kushtetuta
Komisioni Europian e konsideron rastin e përjashtimit të 23 deputetëve të opozitës si të paprecedentë dhe nxit një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës
Progres Raporti i Komisionit Europian theksoi polarizimin e skenës politike në Shqipëri, kjo për shkak të përçarjes së opozitës. Raporti me 144 faqe bën një raportim të detajuar të të gjitha fushave në vend, zgjedhjeve lokale, të drejtave të njeriut, administratës publike dhe gjyqësorit.

KE: E drejta për komisione hetimore garantohet nga Kushtetuta
Në Raportin për Shqipërinë të Komisionit Europian është përfshirë edhe rasti kërkesave për komisione hetimore të deputetëve të opozitës. “Ligji për Komisionet Hetimore është në fuqi”, Komisioni Europian: E drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta. Komisioni Europian i ka kushtuar vëmendje edhe refuzimit të Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, që së fundmi ka shkaktuar kaos në punimet e Kuvendit. Raporti i Komisionit Europian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta. Refuzimi i mazhorancës me argumentin qe do ndryshojë ligjin për Komisionet Hetimore nuk qëndron për sa kohë ligji ekzistues është në fuqi. Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi.” – thuhet në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2023.
Shqipëria duhet të përmirësoj bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD.
KE: Përjashtimi i 23 deputetëve të opozitës, i paprecedentë.
Në Raportin për Shqipërinë të Komisionit Europian është përfshirë edhe rasti i përjashtimit të 23 deputetëve të opozitës. Komisioni Europian e konsideron si të paprecedentë dhe nxit një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës. “Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji. Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës.” – thuhet në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2023.
KE kritika Komisionit për Reformën Zgjedhore: Nuk arritën përparim duhet dialog politik.
Në progres-raport Komisioni Evropian kritikon punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i kthyer në shkakun kryesor të konfliktit politik mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita, me argumentin që Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka arritur asnjë rezultat, kërkoi riformatimin e tij, por kërkesa nuk u pranua nga mazhoranca. Komisioni Europian i bën thirrje palëve të përfshihen në një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.
Abuzimet me fondet e IPARD.
Në progres raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 përmenden edhe hetimet për akuzat për abuzime me fondet e IPARD në sektorin e bujqësisë. “Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) në mënyrë që ata të mund të delegojnë plotësisht detyra e tyre në kryerjen e një kontrolli në vend në përputhje me Rregulloren e BE”,- tha raporti.
Zgjedhjet e 14 majit, KE: Qeveria premtoi rritje të pensioneve dhe rrogave pak para zgjedhjeve.
Zgjedhjet lokale u mbajtën përgjithësisht në mënyrë të qetë duke përfshirë edhe ditën e votimit. Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve të misionit të vëzhguesve zgjedhorë të OSBE/ODIHR zgjedhjet ishte të administruara mirë, konkuruese dhe me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike. Por ka shqetësime rreth keqpërdorimit të resurseve publike si në nivel shtetëror edhe në atë lokal, pretendime për presion mbi votues dhe punonjësit e sektorit publik dhe raste të blerjes së votës. Të gjitha këto kërkojnë hetim. Përtej vlerësimit të komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore në shkurt 2022 s’ka progres të bërë si në adoptimin e ndonjë teksi ashtu edhe në adresimet e rekomandimet e jashtme të OSCE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon një dialog gjithpërfshirës dhe konstruktiv nga të gjitha palët. Mbi keqpërdorimin e resurseve shtetërore OSCE/ODIHR iu referua vendimeve të qeverisë të bëra javë para zgjedhjeve për t’u dhënë një bonus pensionistëve dhe rritje rrogash në disa kategori të punësuarish në sektorin publik si dhe faktin që në disa raste lidershipi i qeverisë tha se mbështetja në të ardhmen e bashkive do të varej nga rezultati i zgjedhjeve.



















