Koço Kokëdhima: Zgjedhjet e 25 qershorit u blenë nga mafia e marijuanës dhe korrupsionit

525
Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima deklaroi në fjalën e mbajtur prej tij se zgjedhjet që u mbajtën më datë 25 qershor ishin të deformuara, më të këqija se herët e kaluara dhe të blera nga mafia e marijuanjës dhe e korupsionit.

“Të dashur kolegë dhe pjesëmarrës në mbledhjen e parë të Forumit Kombëtar të Politikave të Zgjidhjes! Jemi ende në atmosferën e zgjedhjeve të 25 qershorit. Këto zgjedhje, sipas deklaratës së parë të OSBEODIHR-it, nuk ishin aspak më të mira se zgjedhjet e kaluara. Në të vërtetë ato janë edhe shumë më të deformuara e më të këqija se zgjedhjet e shkuara. Zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga mafia e marijuanës dhe e korrupsionit, nga kriminelët, nga njerëzit e përfshirë në listat e deputetëve, në administratën zgjedhore e publike dhe në Policinë e Shtetit. Blerja e zgjedhjeve të 25 qershorit u parapri nga testi i blerjes së zgjedhjeve të pjesshme në Peshkopi. Në këtë krim shtetëror u përfshinë me mijëra njerëz. Kaq shumë dhe gjerësisht u përdorën paratë për blerje votash sa nuk ishte parë e menduar ndonjëherë më parë.

Qeveria e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 nuk kishte vullnet dhe nuk bëri asgjë për të reformuar sistemin dhe kodin zgjedhor, nuk bëri asgjë për të ngritur një infrastrukturë dhe një administratë zgjedhore jopartiake që do të mundësonte zgjedhje me standarde në Shqipëri. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkatërruar zgjedhjet e lira e të ndershme në Shqipëri. Këto dy parti kanë rrënuar shtetin shqiptar, kanë shuar besimin te institucionet dhe tek ligji, kanë rrëzuar republikën kushtetuese dhe e kanë zhytur vendin në varfëri e në borxhe deri në fyt. Zgjedhjet e 25 qershorit u paraprinë nga protesta tre mujore e PD-së, e cila ndihej e rrezikuar dhe seriozisht e kërcënuar nga ato që kishte bërë vetë me zgjedhjet në të shkuarën dhe nga ai sistem e kod zgjedhor që kishte ndërtuar e lënë në fuqi së bashku me Partinë Socialiste përpara se të largohej nga pushteti në vitin 2013. Kjo protestë, në thelbin e vet ishte e drejtë pavarësisht mëkateve të PD-së ndaj zgjedhjeve në të shkuarën.

Rilindja nuk punoi për t’i rregulluar zgjedhjet. Punoi deri në fund që të mbante në këmbë zgjedhjet e vjetra, sistemin e korruptuar elektoral. Ajo donte të bënte zgjedhje të njëanshme në 18 qershor dhe ta zëvendësonte opozitën e vendit me kukullat e veta, me një opozitë të emëruar e kontrolluar prej saj. Zgjedhjet e 25 qershorit u paraprinë dhe u zhvilluan përmes dhjetëra shkeljeve të rënda të ligjit dhe të kushtetutës.

Qeveria me aleatët e saj dhe disa parti të reja ia doli ta izolonte opozitën. Mëkati i tradhtimit të luftës për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve shqiptare i përvëloi këto parti. Ato u joshën nga ftesat e qeverisë dhe ato të diplomatëve të huaj që punuan për ta thyer rezistencën e opozitës. Menduan se duke braktisur standardet e zgjedhjeve, do të fitonin nga boshllëku që do krijonte opozita në parlament. Por këto parti ranë vetë në gropën që hapi Rilindja për të varrosur zgjedhjet e lira e të ndershme dhe forcat që luftonin për këto zgjedhje. Përpjekjet për të reformuar dhe pastruar zgjedhjet e vitit 2017 nuk u mbështetën nga diplomatët e huaj në Tiranë. Ata, qartazi, mbajtën anën e qeverisë dhe mbrojtën sistemin e dështuar e të korruptuar elektoral të Shqipërisë kur deklaruan se do të njihnin zgjedhjet e 18 qershorit pa PD-në dhe do të legjitimonin asgjësimin e plotë të saj. Nuk e dimë se si do të vinte rrjedha e historisë nëse Partia Demokratike do t’u qëndronte deri në fund kauzave që mbrojti në tre muajt e protestës. Këtë nuk mund ta thotë askush me siguri”, tha Koço Kokëdhima.
Sigal