KLSH publikon raportin për katër mujorin, 3.2 miliardë lekë abuzime

419
Abuzimet financiare të administratës publike për katër muajt e parë të këtij viti arrijnë në 3.2 miliardë lekë ose mbi 23 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se pjesa më e madhe e dëmit vjen nga mosarkëtimi i të ardhurave në arkën publike ose abuzimi me shpenzimet nga ana e institucioneve. “Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 2 miliardë lekë si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 1,2 miliardë lekë,” -thotë KLSH
I ndarë sipas fushave, pjesa më e madhe e dëmit prej 877 milionë lekë vjen nga abuzimet në fushën e prokurimeve dhe institucioni me abuzimet më të mëdha është autoriteti rrugor shqiptar. Sipas KLSH në katër muajt e parë të vitit pranë këtij Autoriteti, janë konstatuar mbi 620 milionë lekë dëme ndaj buxhetit. Në vend të dytë, ndër fushat me abuzimet më të mëdha renditet ajo e tatim taksave me 461 milionë lekë dhe në vendin e tretë renditen doganat me rreth 364 milionë lekë. KLSH thotë se për këto dëmë ka kryer kallëzim penal ndaj 7 zyrtarëve. “Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 7 kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë, e konkretisht në këto institucione, prej të cilëve 5 janë aktualisht në hetim ndërsa dy të tjera janë në vlerësim nga prokuroria,” vijon KLSH. Organi kryesor i auditit njofton se paralelisht ka kërkuar që të zhdëmtohet dëmii i shkaktuar në masën 1.7 miliardë lekë. 
Sigal