KLSH hap letrat e Llallës, nis kontrolli për veprimtarinë financiare të Prokurorisë

533
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit hap letrat e kryeprokurorit Adriatik Llalla, për veprimtarinë financiare, gjatë vitit kalendarik 2015. Si rrallë ndonjëherë, institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Shqipëri ka kontrolluar veprimtarinë ekonomike të institucionit qendror të akuzës, tek i cili referohen shkeljet dhe abuzimet me natyrë penale, të zyrtarëve të nivelit të lartë. Një grup prej tre adutituesish dhe një drejtuese, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë zbarkuar për dy ditë me radhë në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, për auditimin financiar të organit të akuzës.

Audituesit kanë kontrolluar veprimtarinë ekonomike nga data 5 deri në datën 7 Maji. Grupi përbëhej nga Mimoza Lloji, Melina Kabo, Hektor Kosova dhe Manjola Naço. Kjo e fundit ka monitoruar dhe drejtuar auditimin. Në bazë të planit të auditimit dhe konstatimeve, grupi i auditimit do të hartojë raportin përfundimtar ditët e para të muajit gusht. Paraprakisht mësohet se grupi i kontrollit ka konstatuar shkelje administrative, por edhe shkelje të natyrës penale, të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë reflektimi i pasaktësive në pasqyrat financiare, i shkeljeve dhe abuzimeve, në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.