Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit: Paketa AntiShpifje instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm

544
Sigal

Fatkeqësisht vendi ynë nuk ka më demokraci. Zgjedhjet parlamentare  duhet të kryhen menjëherë për të ringritur demokracinë dhe shtetin, dhe kjo do të jetë një sfidë në vetvete! Besoj se do jenë shumë faktorë në 2020 që do ta detyrojnë Kryeministrin të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Jakup B. GJOÇA

Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se miniShengeni i kryeministrit Rama po përdoret qartë për të kamufluar dështimet e një pas njëshme të qeverisë, dështimin me negociatat, rrënimin e ekonomisë, premtimet e pambajtura, mos funksionimim e shtetit, ndërsa gjuha e ashpër ndaj udhëheqësve të Kosovës në prani të Vuçiç në Tiranë është nj dashakeqësi për të izoluar Kosovën. Zonja Gjosha, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të kryhen sa më shpejt për të ringritur demokracinë, ndërkohë që ligji i Anti Shpifjes instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm. Zonja Gjosha thotë për opozitën se duhet patjetër të ofroj zgjidhje dhe jo vetëm të denoncojë. Duhet të zbresë në terren me programin e saj, por edhe për të thënë të vërtetën mbi gjithçka po ndodh.

Opozita duhet patjetër të ofroj zgjidhje dhe jo vetëm të denoncojë. Duhet të zbresë në terren me programin e saj, por edhe për të thënë të vërtetën mbi gjithçka po ndodh. Opozita duhet të ngjalli shpresën me propozime konkrete dhe me njerëz të besueshëm

– Zonja Gjosha, pse këmbëngul Kryeministri Rama për minishengenin, kur ende Shqipëria nuk hap dot negociatat për anëtarësim në BE?

-Kur flasim për bashkëpunim rajonal, të gjithë biem dakord, që një angazhim i tillë është i domosdoshëm, për t’i bërë ballë sfidave të glabilizimit dhe tregjeve më konkuruese dhe të zhvilluara. Por nga ana tjetër këto duhet të jenë iniciativa të mirë menduara dhe gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha është e nevojshme të zgjidhet koha e duhur. Një projekt i tillë, i nxituar fill pas dështimit të negociatave, duket se shkon më shumë drejt një presioni që kërkojnë t’i bëhet Bashkimit Europian dhe si kundër përgjigje ndaj zgjerimit! Për mendimin tim Mini Shengeni po përdoret qartë për të kamufluar dështimet e një pas njëshme të qeverisë, dështimin me negociatat, rrënimin e ekonomisë, premtimet e pambajtura, mos funksionimim e shtetit si dhe keqmenaxhimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit!

-A mund të ketë Minishengen pa Kosovën dhe kur Serbia nuk e njeh Shtetin e Kosovës?

-Nëse nuk ka gjithë përfshirje projekti do të quhej i dështuar që në fillim. Kosova ka një rëndësi të vecantë edhe për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Serbinë. Nuk mund të pretendojmë që Kosova të pranoj të jetë pjesë e një iniciative të tillë, kur dy vendet janë ende në një status lufte me pretendim territoresh. Gjithçka duhet të nisë me pranimin e krimeve nga Serbia dhe më pas duhet kaluat në një traktat paqeje. Është e pamundur të shkosh te hallka e fundit e bashkëpunimit, pa kaluar nga pjesa njerëzore e të kërkuarit ndjesë!

Çfarë fshihet pas sulmit të  Kryeministrit Rama ndaj të gjithë politikanëve të Kosovës në prezencë të Vuçiç në Tiranë?

– Sulmi ishte i papranueshëm, aq më tepër që liderët e Kosovës janë të zgjedhur legjitim. Kosova është shtet i pavarur, por që ende lufton për njohje nga të gjithë aktorët dhe një komunikim i tillë rëndon shumë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Nuk e di çfarë ka menduar Kryeministri kur ka përdorur atë gjuhë, por duket më shumë si një dashakeqësi për ta izoluar Kosovën!

Mini Shengeni po përdoret qartë për të kamufluar dështimet e një pas njëshme të qeverisë, dështimin me negociatat, rrënimin e ekonomisë, premtimet e pambajtura, mos funksionimim e shtetit si dhe keqmenaxhimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit!

–  A ka logjikë që Parlamenti të votojë Ligjin e AntiShpifjes, i cili u kundërshtua nga KiE, BE dhe OSBE, ndërkohë që kjo bie në kundërshti me 9 kushtet e BE për hapjen e negociatave?

– Cënimi i fjalës së lirë është akti më i rëndë në demokraci. Një iniciativë e tillë për të vrarë të vërtetën dhe për të censuruar median, e godet fortë Shqipërinë në imazh, në procesin e integrimit europian dhe instalon një sistem diktatorial dhe të rrezikshëm. Shqipëria në kryesimin e saj të OSBE duhet të jetë një vend model i respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Ne duhet të jemi pararojë e çeljes së debatit pë respektimin e pushteteve të pavarura dhe krijimin e kushteve për vetërregullimin e tyre. Çdo ndërhyrje politike për të mbajtur nën kontroll median është tentativë për të shtrëmbëruar të vërtetën dhe për të instaluar frikën, në mënyrë që të sigurojnë pushtetin nëpërmjet abuzimit!

– Cilat ngjarje politike mund të veçonit për 2019?

– Viti 2019 është i mbushur plot me ngjarje, duke filluar nga dorëzimi i mandateve, zgjedhjet monopartiake dhe marrja në dorë e pushtetit lokal nga Partia Socialiste. Më pas, vazhdojmë me dështimin e negociatave, ngritja e SPAK dhe pa dyshim tragjedia e 26 nëntorit. Duket se nuk ka qënë një vit i mirë por le të shpresojmë që 2020 do të nisë mbarë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

-. A mund të presë demokracia jonë zgjedhjet parlamentare në 2021 dhe zghedhjet vendore në 2023?

– Fatkeqësisht vendi ynë nuk ka më demokraci. Zgjedhjet parlamentare  duhet të kryhen menjëherë për të ringritur demokracinë dhe shtetin, dhe kjo do të jetë një sfidë në vetvete!

– A mund të detyrohet Kryeministri Rama  i vullnetshëm të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pa protesta?

– Kryeministri me iniciativat e fundit dhe sidomos me ligjin anti shpifje po shkon drejt firmosjes së fundit të tij. Jo vetëm opozita po e gjithë shoqëria duhet të protestoj për të refuzuar këtë keq qeverisje. Besoj se do jenë shumë faktorë në 2020 që do ta detyrojnë Kryeministrin të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

– Çfarë duhet të ndryshojë opozita në 2021 që të bëhet alternativë qeverisëse?

– Opozita duhet patjetër të ofroj zgjidhje dhe jo vetëm të denoncojë. Duhet të zbresë në terren me programin e saj, por edhe për të thënë të vërtetën mbi gjithçka po ndodh. Opozita duhet të ngjalli shpresën me propozime konkrete dhe me njerëz të besueshëm. Qytetarët janë të etur për një alternativë dhe askush nuk do të mund ta bënte  këtë më mirë se opozita, që ka sakrifikuar pafund në këto vite!

– Faleminderit!