Klajda Gjosha: 25 prilli është një betejë për lirinë dhe demokracinë. T’i themi “JO” skllavërisë mbi shqiptarët

238
Sigal

Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për deputete në Qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha, deklaron se në 25 prill nuk është vetëm betejë midis forcash politike, por është një betejë për lirinë dhe demokracinë.

Përmes një mesazhi të përcjellë nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa u kthen përgjigje se pse LSI-ja është një forcë e majtë, Gjosha deklaron se në 25 prill duhet t’i themi jo skllavërisë mbi shqiptarët.

Ndaj, apelon Gjosha, vetëm vota e bën të mundur!

“Gjatë fushatës, nga elektorati i majtë, më pyesin pse me LSI? I përgjigjem thjesht që jam e majtë dhe mundohem të jap kontributin tim në një forcë të majtë, që lufton për vlerat, për rininë, për gratë dhe vajzat, për njerëzit në nevojë, për politika sociale.

Pyetja që shumë herë nuk merr përgjigje për këtë elektorat është  “nëse ti je i majtë, pse voton një parti si Rilindja, e cila jo vetëm nuk është e majtë në politikat e veta, urren sindikatat e sindikalistët, parti që është e gatshme të sjellë punëtorë nga Bangladeshi për t’i zëvendësuar ata pak punëtorë shqiptarë të thjeshtë që kërkojnë pak më shumë të ardhura për familjet e tyre?”

Në 25 prill nuk është vetëm betejë midis forcash politike, por është një betejë për lirinë dhe demokracinë. Duam një Shqipëri bazuar mbi një grup njerëzish që pasurohen mbi skllevër, apo një shoqëri më humane bazuar mbi punën dhe solidaritetin mes shqiptarëve?

Mendoj që përgjigja është në zemrën e elektoratit, por ajo duhet të shprehet me votë.

Në 25 prill duhet t’i themi jo skllavërisë mbi shqiptarët. Vota juaj e bën të mundur!

#6 LSI

#4 Klajda Gjosha”,- shprehet kandidatja e LSI-së për deputete në Qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha.