Kim Mehmeti: Ta pastrojmë shqiptarinë nga projektet antishqiptare!

204
Sigal

Shqiptaria nuk do ishte kjo që është sikur të mos kishte ëndërrimtarë që kurrë nuk i tradhtuan ëndrrat e tyre, që i mbajtën gjallë iluzionet, që e kishin kuptuar se ia vlen t’i mbetesh besnik ëndrrës edhe kur e dinë se ajo është e largët dhe mbase edhe gënjeshtare, por shumë, shumë njerëzore.

Ne si popull i vetmuar në këtë Ballkan, nuk do mund të mbijetonim pa ëndërrimtarë fanatik të cilëve u ndodhte ta harronin vetveten, por jo edhe ëndrrën kolektive.

Dhe kuptohet, vetmia është barrë e rëndë, posaçërisht kur je i rrethuar nga ‘vëllazëria’ e të ngjashmëve mes veti për nga fisi apo feja, e të cilët më shumë e duan të huajën se sa të veten dhe si të tillë, shpesh janë bashkuar për ta dëmtuar ‘vetmitarin’.

Në këtë Ballkan ne edhe sot jemi po aq të ‘vetmuar’ sa çdoherë, por kemi diçka që nuk e kemi pasur kurrë më parë: një rini e cila e njehë dhe komunikon me tërë botën, rini që jo vetëm se nuk jeton me barrën e popullit të vetmuar, por ndjehet pjesë e barasvlershme e civilizimit botërorë.

Dhe asaj rinie duhet ushqyer shpresat dhe atë duhet çliruar nga ‘raca e poshtër’ politike që i bëri opozitë popullit të vet si dhe, nga ‘derrat’ partiak, që u majmën nga djersa e popullit dhe që u freskuan duke u përpëlitur në lloçin e pistë të lojërave politike.

Asaj rinie duhet thënë të jetë e kujdesshme e të vë maskat, sepse do i bie në hise t’i pastrojë trojet tona nga projektet e dëmshme për shqiptarinë, si për shembull atë të ‘Ballkanit të Hapur’, projekte që janë derdhje e gropës septike të stërmbushur me pisllëqet shekullore politike antishqiptare.