Kim Mehmeti: Foltoret, farë e mendësisë së re politike, apo baltë e së shkuarës, ku mbytet e ardhmja e PD

221
Sigal

 

Sa i përket mbarë shqiptarisë, vetëm shoqërisë kosovare i vjen era shumëpartiake, vetëm atje sadopak dihet çka është opozitë e çka pushtet, vetëm atje ka ndërrim të natyrshëm të gjeneratave politike e të elitave të tjera dhe, vetëm atje, çmohet edhe mençuria, e jo vetëm gjindshmëria politike.

Ndërkaq Shqipërinë dhe shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, ende i drejton dhe i mban peng mendësitë e Partisë së Punës, sipas së cilës, e mira e vendit dhe e popullit, është e barabartë me atë të drejtuesit të partisë. Dhe andaj. në mëmëdhe dhe te shqiptarët e Maqedonisë, çdo gjë është ndalur në fillim të nëntëdhjetave, kështu që edhe nëpër mitingjet e sotme parazgjedhore, ‘promovohen’ deputetë, kryetarë të komunave dhe burrështetas të përjetshëm partiak.

Duke mbetur Shqipëria në duart e Partisë së Punës, por tani të ‘ribrenduar’ si PS-së, nuk është për të çuditur kur dëgjon se Kryeministri i saj, ka në plan ta pushtojë edhe hapësirën qiellore mbi Shqipëri, duke dërguar drejt saj satelitë. Për çka shumica prej nesh qeshen, duke harruar kështu se Piktori atë do: të vrapojmë të qeshur, pas talljeve që ai ia bën shqiptarisë!

Pra, duke mbetur peng i mendësisë enveriste, Shqipëria edhe prodhon burrështetas, të cilëve kur ua pështyn njërën fytyrë, ata ta kthejnë tjetrën, të cilët kanë portret demokratik, por me fizionomi të diktatorit, që në mulli sillen si mullinjxhi, në koncert si solo këngëtarë, në shesh xhirim të porno filmave si porno yje…, pra që janë si të gjithë ne, ngaqë pa votën tonë janë kurrkushi.

Po pra, shumica e politikanëve që prodhon shqiptaria e sotme, nuk janë as atë që thonë kritikët e tyre për ta, as të atillë siç i përshkruajnë mbështetësit e tyre, e aq më pak siç ata e përshkruajnë vetveten, por janë ekzibicionistë të ngjashëm me Piktorin, të cilët mbijetojnë duke e bërë vendin gropë septike ku derdhet mendësia enveriste, në kohë demokratike.

Dhe fatkeqësia e Shqipërisë nuk është vetëm pse ajo drejtohet nga mendësia politike enveriste, nga mendësia që e dinë si forcohet partia, por jo edhe si bëhet shteti e si mbrohet populli, por pse ajo u bë atdhe e krimit dhe e pabanueshme për ata që besojnë se, jo ndërtuesit e ferrit, por të moralshmit e të ndershmit, mund ta murojnë parajsën e kësaj bote.

Ndërkohë, përderisa Piktori i bën gati raketat, me të cilat do e pushtojë gjithësinë, Doktori, me ‘Foltoret’ e veta, e vazhdon betejën e vet kundër kryetarit aktual të PD-së, të cilat ‘Foltore’ është e vështirë t’i përcaktosh nëse e shpërfaqin fytyrën e ndritur të kësaj partie, apo plehun e saj politik të grumbulluar gjatë tri dekadave të shkuara.

Dhe kur jemi te këto ‘Foltore’, pa dyshim se ato tregojnë si duket prijës i lindur me aurën e drejtuesit, siç është Doktori, por i cili të lë përshtypjen se nuk e ka kuptuar që shtëpiari i mirë, i lë pasardhësit e vet lirshëm të mbyten në gabimet e veta, i vetëdijshëm se duhet ata të mësohen të jetojnë pa të.

Po pra, këto ‘Foltore’ e shpërfaqin edhe fytyrën e drejtuesit aktual të PD-së, të cilit, siç duket, askush nuk i ka treguar se kurrë nuk mund të bëhesh prijës i kolonës, nëse të tjerët ta rreshtojnë atë, si dhe, nëse nuk ke guxim që të marrësh autorësinë edhe për bëmat që të detyrojnë t’i bësh.

Sidoqoftë, ajo që duhet thënë që tani lidhur me këto ‘Foltore’ është se në masë të madhe, nga Doktori do varet nëse ato do prodhojnë vlera të reja, me çka edhe do bëhen farë nga do mbijë bima e mirë e një mendësie të re politike, apo nëse ato do mbisundohen nga britmat ‘Eja Doktor dhe na e shpëto Shqipërinë’, me çka do bëhen baltë e së shkuarës, ku do mbytet e ardhmja e PD-së, baltë e ngjeshur nga mendësia se lideri është i barabartë me partinë, e partia baras me shtetin e popullin.

Pra, nëse këto ‘Foltore’ kanë për qëllim vetëm rrëzimin e kryetarit aktual të PD-së dhe ardhjen e Doktorit në krye të saj, atëherë që tani mund të thuhet se është bërë shumë zhurmë për asgjë punë dhe se, do fitojë e shkuara e kësaj partie, e shpërfaqur nëpërmjet fytyrave të ‘tritanëve, ristanëve, ndokave, nishanëve…’, të atyre që PD-ja ua dha të gjitha, e ata nuk i ngiu asgjë