Këshilltari i Kurtit: S’e kuptoj pse Rama shtyn përpara nismën që dëmton Kosovën

154
Sigal

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Jeton Zulfaj, i ftuar në një nga televizionet e Kosovës, është shprehur në lidhje me nismën Ballkani i Hapur, referuar edhe faktit që sot në Ohër është mbajtur takimi i radhës i liderëve ballkanikë. Zulfaj e ka quajtur nisën një projekt politik.

Këshilltari i Kurtit tha se kjo nismë që është prezantuar sot në Ohër, ishte vazhdimësi e asaj që pamë në Novi Sad me Mini-Schengenin që u shndërrua në Open Balkan, por rrënjët i kishte në vitin 2017 tek Unioni Doganor, të cilin e kishte prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e për të cilën edhe ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se ishte nismë e Serbisë.

Sipas Zulfajt, Serbia nuk e pranon si palë të barabartë Kosovën, prandaj nuk mund të marrim pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, është pakuptueshme pse Shqipëria e shtyn përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës.

“Kosova nuk është pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë iniciativë sepse është dyfishim i panevojshëm. Ndërsa në procesin e Berlinit, jemi si palë e barabartë.

Aty e kemi të garantuar barazinë, sepse jemi edhe me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, e kemi tregun e përbashkët rajonal me katër liritë dhe aty synojmë të arrijmë marrëveshjet.

Kryeministri Kurti, mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit e ka në mënyrë parimore, e kemi të bërë në secilin prej takimeve cilat janë dëmet dhe rreziqet që vijnë prej Serbisë në mënyrë të vazhdueshme, prandaj është pakuptueshme pse Shqipëria e shtynë përpara me krenari këtë iniciativë, kur është në dëm të shtetësisë së Kosovës.”-ka thënë Zulfaj.