Kejdi Mehmetaj: LSI do bëjë më të mirën për rininë, oligarkia po i vjedh shpresën

574
Deputetja Kejdi Mehmetaj thekson edhe një herë në një deklaratë të saj nevojën për reformimin e arsimit në vendin tonë, por jo sipas modelit të përdorur nga qeveria Rama. “Gjatë këtyre ditëve kam marrë shumë ankesa nga maturantë nga e gjithë Shqipëria. Gjatë zhvillimit të provimit të letërsisë, maturantët janë ndeshur me presionin e mësuesve vëzhgues. Jo vetëm kanë ndihmuar në formë preferenciale dhe të paligjshme studentë, nisur nga bindja e tyre partiake dhe ngjyra e rripit të dorës, por njëkohësisht kanë ushtruar presion ndaj maturantëve të angazhuar në radhët e LRI-së. Shtuar kësaj, teza e provimit ka qarkulluar në rrjetet sociale ndoshta ende pa nisur mirë provimi. E kur një tezë mature nuk është e sigurt, çfarë ndodh me gjithë provimet, notat dhe të ardhmen e këtyre të rinjve? E paralajmërova edhe më parë se Lëvizja Socialiste për Integrim do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor dhe do të dërgojë para ligjit të gjitha rastet e përdorimit të figurës së mësuesit dhe përdorimit të institucionit të shkollës për presione politike me qëllim marrjen e votës. Si Partia Socialiste po ashtu edhe Partia Demokratike të jenë të sigurta se, të vetmet arritje nga këto sjellje do të jenë përbuzja e maturantëve dhe dalja përpara ligjit. E kuptoj frikën që ndjeni, pasi e gjithë rinia shqiptare ka vendosur të mbështetë LSI, por kjo nuk ju jep të drejtën të dëmtoni moralin apo shkatërroni ëndrrat e këtij brezi. Boll e bëtë këtë me eksperimente të tejzgjatura dhe reforma të dështuara. I ftoj të gjithë maturantët të mos pezmatohen, të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe presioni, te kërkojnë të drejtën e tyre dhe të jenë të qetë, pasi kjo kohë e errët për ta do të marrë fund në 25 qershor! LSI do të marrë votën e të gjithë rinisë shqiptare në këto zgjedhje, pasi është kundër arrogancës dhe presionit që vjen nga pushteti. LSI është kundër oligarkisë që po i vjedh rinisë shpresën dhe mundësitë për një të ardhme më të mirë!”, -deklaron Mehmetaj
Sigal