Kanabisi, amnisti fshatarëve: Tregoni bosët e drogës

502
Amnisti fshatarëve të kanabisit, nëse rrëfejnë bosët e drogës
Nisma ligjore për të mundësuar lirimin e kultivuesve të thjeshtë dhe kapjen e financuesve e trafikantëve të mëdhenj dhe bashkëpunëtorëve në polici
Mbjellja e kanabisit është zgjeruar në shumë fshatra të vendit gjatë viteve të fundit, duke shtyrë shumë fshatarë të kultivojnë bimën fitimprurëse. Të nxitur nga interesi financiar, me mijëra fshatarë kanë vënë në dispozicion sipërfaqet e tokës që zotërojnë dhe krahun e punës për të rritur kanabis. Përhapja e fenomenit e ka vënë edhe policinë përpara një vështirësie jo të vogël, pasi në zona të caktuara, numri i fshatarëve të përfshirë në aktivitet të paligjshëm është vërtetë shumë i madh. Një ndëshkim ndaj tyre do të rezulton me problem të ndjeshme, ndonëse sot në burgje ndodhen jo pak kultivues të kanabisit. Por në to mungojnë bosët e vërtetë, ata që e financojnë mbjelljen e drogës dhe më pas e grumbullojnë dhe trafikojnë atë. Për këtë arsye, një nisëm ligjore synon t’u vijë në ndihmë kultivuesve të vegjël të kanabisit, të cilët për policinë rezultojnë të kenë kryer një aktivitet të paligjshëm. Një amnisti për fshatarët e thjeshtë, të cilët kanë rezultuar thjesht kultivues apo punëtorë në parcelat e kanabisit po shqyrtohet si një mundësi, që do të zgjidhte edhe problemin e një numri jo të vogël, të cilët ndodhen në kërkim nga policia. Megjithatë, në këmbim të amnistisë dhe mbylljes së problemeve me drejtësinë, kultivuesit do të duhet të rrëfejnë për organet ligjzbatuese cilët ishin financuesit dhe trafikantët e kanabisit të mbjellë prej tyre. Kjo gjë, sipas ideatorëve të nismës, mund të çojë në goditjen e bosëve të vërtetë të kanabisit. Gjithashtu, rrëfimi i kultivuesve pritet të nxjerrë në dritë edhe lidhjet e policisë me botën e krimit. Në bazë të detyrave të forcave të policisë, ato janë të detyruara të kontrollojnë territorin dhe të mos lejojnë kultivimin e lëndëve narkotike. Por kjo detyrë nuk është realizuar dhe mbjellja e drogës ka qenë masive në shumë zona të vendit. Gjithashtu, sipas hetimeve, ka rezultuar se trafikimi i sasive të mëdha të lëndës narkotike është ndihmuar nga drejtues të policisë, të cilët kanë bashkëpunuar me trafikantët dhe bosët e krimit. 

Tritan Shehu: Ja përgjegjësit për drogën
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, propozoi që të ketë një amnisti të gjerë për të gjithë fshatarët dhe kultivuesit e thjeshtë të kanabisit. “Qeveria, Kuvendi e Presidenti duhet të dakordësohen për një amnisti të gjerë për të gjithë fshatarët, kultivues të thjeshtë të kanabisit, të dënuar apo jo deri më tashti”, u shpreh Shehu. Sipas tij, në burgje janë me mijëra të tillë gjynahqarë, qindra janë në arrati, mijëra janë nën terror nga shtetarë; të cilëve u kanë paguar dhe “haraçin”. “Kriminelët e përgjegjësit e vërtetë po shtojnë pasurinë. Zyrtarët e shtetit, përgjegjës dhe të ndëshkueshëm për këtë veprimtari, edhe sipas ligjit 9559, neni 1, pika 3 i vitit 2006, nuk po pësojnë asgjë”, nënvizoi ish-ministri demokrat. Sipas tij, në Tepelenë e Memaliaj, banorë të varfër, pa shpresë, të keqpërdorur edhe në çështjen “kanabis”, ngrenë pikërisht këto probleme. “Asnjë masë për të dy kryetarët e bashkive përkatëse, Tërmet Peçi e Durim Roshi, as për drejtuesin e komisariatit të Tepelenës, Emiliano Pashaj, ndërsa ai i Memaliajt, Argent Shyti “gradohet” në Dibër. I shtohet kësaj në qark edhe drejtuesi i sapoemëruar i komisariatit të Përmetit, Feliks Hysi, me të njëjtat probleme kur drejtonte policinë në Laç. Padrejtësi dhe vetëm padrejtësi”, argumenton Tritan Shehu. Sipas tij, amnistia duhet realizuar për ata që u keqpërdorën dhe vazhdojnë të keqpërdoren. “Drejtësia duhet të godasë stimuluesit, organizatorët, protektorët e përfituesit e vërtetë të kësaj masakre masive droge e krimi!”, shprehet deputeti Shehu.
Sigal