Jani Marka: Protestë e bashkuar dhe e fuqishme

698
Jani Marka, një nga pedagogët që u është bashkuar studentëve në kërkesat e tyre për tarifat e universiteteve publike, bëri thirrje për një protestë të fuqishme ditën e sotme. Ai shpjegoi për “Telegraf” edhe kërkesat e bëra nga studentët. “Më 24 janar, ora 11:00, në protestë, të bashkuar, të shumtë e të fuqishëm, do të kërkojmë konkretisht nga qeveria: Të përgjysmohen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve; Të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj: Të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura; Në solidaritet dhe bashkë me studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, kërkojmë që qeveria t’i kthejë godinën e saj historike FGJM-së”, u shpreh Marka. Ndërkohë, ai u shpreh se rreziku më i madh që na kanoset nuk është prej burrave e grave të korruptuar, që Shqipëria i ka me bollëk, por prej korruptimit të brezit të ri. “Nëse ky brez do të arrijë të çajë rrethimin e korruptimit, prej partive, burokratëve me privilegje, apo prej të privilegjuarve pa kontribut social, atëherë mund të shohim edhe ëndrra të bukura”, tha Marka.
24 Janari, një ditë jo e zakonshme
Lëvizja për Universitetin deklaroi se 24 janari nuk do të jetë një ditë e zakonshme. “Nuk është një ditë e zakonshme, as një protestë e çfarëdoshme. Të gjithë bashkë, mijëra e mijëra studentë të universiteteve publike, kemi mundësinë të hapim një shteg të rëndësishëm drejt fitimit të të drejtave studentore dhe dinjitetit tonë si studentë. Tarifat, haraçi dhe gjobat nuk janë të vetmet probleme me të cilat përballemi. Po lehtësimi prej tyre do të na jepte zemër se mundemi, se bashkimi vërtet e bën fuqinë dhe se fuqia studentore trand malet. Kemi mundësinë të lëmë një gjurmë të pashlyeshme në historinë universitare shqiptare”, theksoi Lëvizja, duke bërë thirrje që të gjithë të bashkohen në orën 11 te Korpusi për ta çuar zërin e arsyes dhe protestës drejt kryeministrisë. Ndërkohë, në disa fakultete – Shkencat Sociale, Filologjiku bashkë me Gjuhët e Huaja e Ekonomikun, Shkencat e Natyrës dhe Gjeologji Minierat – studentët do grumbullohen në oborre në orën 10, e për të vijuar drejt Korpusit në orën 11.
Sulmet ndaj Ramës dhe ministres Nikolla
Rreth një vit më parë një studente ka qëlluar me salcë, ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Ngjarja ka ndodhur gjatë samitit të studentëve, organizuar përballë Piramidës, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama. Ministrja është qëlluar menjëherë sapo ajo është ulur, kur një aktiviste i është afruar dhe i ka hedhur salcë. Studentja është identifikuar si aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, grupim i cili kundërshtoi reformën në arsimin e lartë. Ajo është studentja Mirela Ruko, me origjinë nga Fieri, e cila njihet si aktiviste e lëvizjes në fjalë dhe pjesëmarrëse në disa tubime kundër reformës. Dy vite më parë, ajo ishte pjesë e grupimit të studentëve që goditën me vezë kryeministrin Edi Rama te Fakulteti i Shkencave Sociale. Menjëherë pas ngjarjes, studentja Mirela Ruko është shoqëruar nga policia për në ambientet e komisariatit nr.1 në kryeqytet. Ajo është liruar më pas nga policia, ndërsa përpara komisariatit u mblodhën edhe një grup protestuesish, aktivistë të Lëvizjes për Universitetin.
Sigal