Jamarbër Malltezi zbulon faktet se Rama kishte dijeni për ndërtimin e HEC-ve në Kanionet e Skraparit

561
Nuk ka munguar zbardhja e skandaleve nga qeveria Rama. Këtë herë kreu i departamentit të mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, i cili ka deklaruar se Kryeministri dhe Ministri i Mjedisit dhe Turizmit luajnë teatër me rastin e ndërtimit të hidrocentraleve te Kanionet e Osumit. “Edi Rama dhe Blendi Klosi nxituan të mbyllin me një deklaratë ndjese çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve tek Kanionet e Osumit. Por të dy luajnë teatër me Shqiptarët. Letra e publikuar në media e ish Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zbulon se Rama ka qenë në dijeni të projektit që dëmtonte Kanionet e Osumit, por ka vazhduar me miratimin e tij në dhjetor 2017, kur tepsinë e kishte të gjithën për vete”, është shprehur Malltezi. Sakaq Malltezi ka ironizuar edhe faktin e ndjekjes penale për personat që kanë firmën në lejen mjedisore. “Rama dhe Klosi luajnë teatër edhe me premtimet për ndjekje penale, sepse ata kanë graduar me detyra më të larta, personat që kanë firmat në lejen mjedisore, pa të cilën nuk nis dot ndërtimi i asnjë projekti. Sa për informacion, zyrtari që ka miratuar lejen mjedisore për Osumin, ish-Drejtori i Lejeve Mjedisore (z. Baduni), tani është graduar nga Blendi Klosi si Drejtor i Turizmit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit ku punon edhe Klosi. Nuk ka absurditet më të madh që ai që firmos për shkatërrimin e një zone turistike unikale të drejtojë edhe politikat e turizmit. Kjo mund të ndodhë vetëm në qeverinë “Rama”, e cila premton me fjalë se nuk do të dëmtojë natyrën, por me vepra jep leje që shkatërrojnë mjedisin ose leje që prishin parqe e lulishte në Tiranë për të ndërtuar kulla 44-katëshe”, është shprehur Malltezi. Në fakt, me zonat e mbrojtura po ndodh një skandal tjetër i madh, ka vijuar më tej kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, i cili shprehet se në krye të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura është emëruar Zamir Dedej. “Deri para pak vitesh, ai ishte drejtor i një shoqate mjedisore, e quajtur INCA. Sot, buxheti i Agjencisë për investime/monitorime/trajnime, mbi 330 milionë lekë, i janë kaluar shoqatës mjedisore të drejtorit Dedej. Në këtë vend peshku i madh po peshkon peshkatarët se licencat për peshkim i kontrollon vetë kryepeshku”, ka saktësuar Malltezi.
Sigal