Jakup Gjoça: Kryeministri i pabesueshëm në premtimet

483
Sigal

Kryeministri i pabesueshëm në premtimet që u jep shqiptarëve

Jakup B. GJOÇA

Dje, kryeministri Rama përsëriti për të dytën herë rradhazi, se banorët që u janë prishur shtëpitë nga tërmeti, deri në prill 2020 do të flenë në shtëpitë e reja që do të ndërtohen. Deri më sot, qeveria, nuk ka publikuar asnjë vlerësim të dëmeve të shtëpive dhe banesave nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si rrjedhojë, nuk ka asnjë kosto të dëmeve. Qeveria krijoi edhe një ministri të posaçme, e quajti ministri e Rindërtimit me Arben Ahmetaj ministër, madje e dublo këtë ministri, duke graduar ministrin e Bujqësisë Çuçi edhe ministër i Jashtëzakonshëm, përgjegjës për përballimin e pasojave të tërmetit. Madje, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, e vetmja gjë që pohoi, kur u betua në detyrën e re, ishte se fondi i donatorëve do të derdhet fillimisht në buxhetin e shtetit…

Hajde, pastaj, mos dysho, që qeveria, me fondet e donatorëve (vendas dhe të huaj) për të ndihuar viktimat e tërmetit, mund të ndodhë, që të paguajë edhe faturat e koncesioneve…

Pyetja është:

–           Sa besueshmëri ka premtimi i kryeministrit Rama, se deri në prill 2020 banorët e prekur nga tërmeti do të flenë në shtëpitë e reja?

A mund të besohet kryeministri Rama, se në 4 muaj, qeveria do t’u ndërtojë shtëpi të reja banorëve, ndërkohë, që ka deklaruar se buxheti i shtetit nuk mund të përballojë dot as 10 % të kostos, apo kur mbledh “ndihma” financiare duke u mbajtur dhunshëm rrogën mujore nëpunësve të shtetit, kur çdo shpresë financiare dhe ekonomike e kërkon si lëmoshë në një konferencë ndërkombëtare të donatorëve të huaj, nëse ata do të japin ndonjë  ndihmë?

A ka para buxheti i Shtetit?

Nëse shikojmë qindra milionë euro, që qeveria çdo vit  paguan faturat e koncesioneve, atëhere, bindemi, që shteti nuk qenka vërtet kaq i varfër ekonomikisht sa të mos ketë mundësi të përballojë fatkeqësinë e tërmetit të 26 nëntorit. Mirëpo, kryeministri Rama e ka përsëritur, thuajse çdo ditë, që nga faturat që qeveria do t’u paguajë koncensionarëve nuk do t’u mbahet asnjë qindarkë, sado katastrofë natyrore të ndodhë në Shqipëri.

Atëhere, kur shteti nuk ka para, kryeministri me çfarë mundësi do të ndërtojë deri në prill të gjitha shtëpitë?

Përgjigja e kësaj pyetjeje, dëshmon, se  në mënyrë të përsëritur, sa pak besueshmëri ka deri tani fjala e dhënë e kryeministrit Rama.

Të mos shkojmë më para, mjafton të kujtojmë se kryeministri Rama edhe në qershor 2019 u premtoi banorëve të Floqit dhe disa fshatrave të Korçës, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i qershorit 2019, se brenda vjeshtës 2019, qeveria do t’u ndërtojë shtëpitë e reja. Erdhi dimri dhe banorët e atyre zonave në Korçë, edhe sot janë rrugëve, nëër çadra, të braktisur, të pandihmë, të shpërfillur, ndërkohë që kryeministri Rama, siç duket, vuan nga skleroza (politike, apo pathologjike) as që ka marrë mundimin, që t’u japë ndonjë shpjegim, justifikim, përse nuk e mbajti fjalën e dhënë, përse ende nuk është ndërtuar asnjë shtëpi e re?

Përse tani, banorët që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, duhet të kenë arsye që të besojnë akoma kryeministrin Rama?

Kryeministri Rama në 7 vjet që qeveris, ende nuk ka mbajtur asnjë premtim elektoral, nuk ka përmbushur asnjë zotim qevesjeje, ndërkohë që zyrtarët e lartë të Rilindjes Socialiste janë denoncuar, akuzuar për korrupsion, abuzim, shpërdorim të detyrës, kaq sa institucionet financiare ndërkombëtare e kanë vlerësuar Shqipërinë, si një nga vendet më të korruptuara në botë, me ndëshkueshmëri ligjore thuajse zero.