Ja si gllabërohen paratë e shtetit/ Qeveria e Rilindjes shpërndan për fushatë miliarda lekë paradhënie 13 oligarkëve. Rëfuzon Drejtoria e Thesarit

195
Sigal

Prapa fasadës së përbetimit të kryeministrit Rama, që në 2 mandate ia dha pasuritë e financat një grupi mafiozësh; ndërsa mandatin e tretë, gjoja do ta përdorë vetëm për interesat e popullit është një mashtrim. Ndërsa mandatin e parë e të dytë, Rama i përdori financat e pasuritë, për familjet e shefave  të Rilindjes, për “të fortët”, për trafikantët biznesmenë, për ministrat e oligarkët; në këtë fushatë po përbetohet se mandatin e tretë do ta përdorë vetëm për interesat e shqiptarëve. Mirëpo, regjistrat e Thesarit të Shtetit në muajt mars-prill të fushatës, tregojnë se kryeministri Rama vazhdon të jetë në shërbim të interesave pasurore e financiare, të oligarkëve, familjeve e klientëve të pushtetit të tij. Prapa fasadës elektorale të këtij përbetimi, kryeministri po bën pagesa të përshpejtuara e antiligjore, në miliona e miliarda lekë për 13 oligarkë, paçka se nuk kanë kryer mbi 30% punime, madje në disa projekte as i kanë filluar fare.

Refuzimi nga Drejtoria e Thesarit të Shtetit dhe disa bashki

Burime nga Ministria e Financave, kanë bërë me dije për “Pamfleti”, se Drejtoria e Thesarit të Shtetit, por dhe disa bashki e ente publike, kanë refuzuar të bëjnë këto pagesa paradhënie. Shkak i refuzimit, është fakti se kërkesat për pagesa-lukujditete, janë të pa shoqëruara me dokumentacion realizim punimesh sipas kontratave; mirëpo drejtuesit janë urdhëruar nga kryeministri dhe ministrat e linjës, për të firmosur faturat e çeqeve. Pagesat janë bërë nga Bashkia Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Elbasan, Fier, Dibër dhe nga ARRSH, Ujërat, OSHEE, OST, ministria e Infrastrukturës, Bujqësisë, Kulturës, Arsimit, Shëndetësisë, Mbrojtjes, Policisë etj. Redord pagesash të përfituara gjatë muajve të fushatës, është firma “Gjoka Konstruksion” e oligarkut Rrok Gjoka, me vlerë 16 milionë Euro në tendera; dhe para 2 ditësh, 4.6 milionë Euro shtesë fiktive punimesh për rrugën Kardhiq-Delvinë.

Firmës “Fusha shpk” të oligarkut Shkëlqim Fusha, i janë paguar 11 milionë euro me procedurë emergjence, kryesisht nga Bashkia Tiranë, për gjoja kryerje punimesh, kur realisht disa nga tenderët nuk kanë nisur akoma zbatimin e projekteve.

E treta në listë, është firma “Salillari” e oligarkut Pëllumb Salillari, i cili vetëm gjatë 45 ditëve të muajve mars-prill 2021, ka futur në xhep 9 milionë Euro; dhe ka gati për shlyerje në regjistrin e Thesarit edhe 7 milionë Euro, ndërsa para 10 ditësh, ARRSH i shtoi 2.1 milionë Euro, për “punime të pa parashikuara” në kontratën e tenderit “Pallati me Shigjeta-Doganë”

Me preferencë të kryeministrit Rama, janë trajtuar në pagesat paradhënie gjatë fushatës dhe dy firmat “4 A-M shpk” e “Gener 2” të oligarkut Bashkim Ulaj; të cilit deri në datën 9 prill 2021, i janë dhënë 7 milionë Euro për kontrata pune, të cilat nuk janë realizuar as 20% e disa nuk kanë nisur fare.

Pagesa paradhënie gjatë fushatës, ka marrë firma “A.N.K shpk” e ish deputetit të PS, Ndue Kola; dhe firma “AgiKons shpk” e Gentian Sulajt, ndërtues i kompleksit “Kodra e Diellit”, ku kanë blerë apartamente luksi, Lali Eri e shumë zyrtarë të lartë shteti, pushteti dhe drejtësie.

Në listë janë dhe firma të tjera më të vogla se oligarkët, por jo pa lidhje zyrtare e klienteliste me pushtetin e për numër tenderësh, si firmat e kryebashkiakve Safet Gjici e Agron Malaj, të deputetit Sadri Abazi, etj.

Këta po përlajnë milionat me letra fiktivie, ndërsa shqiptarët tallen me bejte nga kryeministri nëpër sheshe; i cili pas 8 vitesh batërdi në korrupsion me PPP, koncesione e grabitje të pasurive me destinacion një grup pasanikësh e ministrash; po betohet se tani e tutje do punojë vetëm për popullin. A mund besohet?!