Ja pse ‘Air Albania’ duhet pezulluar për fshehjen e bilanceve

136
Sigal

Ndonëse prej tre vitesh kompania e fluturimeve Air Albania nuk deklaron bilancet e saj, institucionet përgjegjëse, si Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Drejtoria e tatimeve nuk kanë marrë asnjë masë. Në bazë të ligjeve në fuqi, nëse një kompani nuk paraqet bilancet për një periudhe 2-vjeçare, asaj duhet t’i pezullohet aktiviteti, por marrëveshja e bërë me kryeministrin Rama duket se e favorizon Air Albanin të dalë mbi ligjin dhe të operojë pa i hyrë gjemb në këmbë. Pra, kompania e fluturimeve, “Air Albania” duhet të ishte pezulluar prej kohësh, pasi nuk ka dorëzuar bilancet tregtare për tre vjet rresht. Të paktën, kështu duhet të kishte ndodhur, nëse Qendra Kombëtare e Biznesit do të kishte zbatuar normalisht sanksionet ligjore ndaj shoqërisë që i jep me qira një avion kryeministrit Edi Rama. Sipas të dhënave zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se “Air Albania” nuk ka dorëzuar bilancet tregtare për periudhën 2020, 2021 dhe 2022. Është pikërisht periudha, në të cilën kryeministri Rama ka përdorur një avion special të kompanisë për të kryer mbi 130 fluturime ndërkombëtare. Ligji “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i ndryshuar, është shumë i qartë në nenin 46 të tij, për rastet kur kompanitë nuk dorëzojnë bilancet. “Çdo subjekt, i cili nuk paraqet për 2 vite me radhë bilancin kontabël vjetor, njoftohet me shkrim nga QKB-ja brenda 30 ditëve nga plotësimi i këtij afati. Në rast se subjekti nuk plotëson detyrimin brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, por jo më vonë se 60 ditë nga plotësimi i afatit për paraqitjen e bilancit, subjekti kalohet kryesisht nga QKB-ja në statusin pasiv, me shënimin “PASIV” në të gjitha dokumentet që lëshohen nga regjistri”. Por, ky detyrim i qartë ligjor nuk është zbatuar për shoqërinë private të fluturimeve, “Air Albania”, e cila duhet të kalonte në statusin “pasiv” që në vitin e kaluar. Marrëveshja që ka nënshkruar me Edi Ramën duket se e ka vendosur shoqërinë tregtare në një status mbi ligjin. As Tatimet dhe as Qendra Kombëtare e Biznesit nuk kanë guxuar deri më tani që të sanksionojnë shoqërinë që i ka siguruar udhëtime luksoze kryeministrit të vendit më të varfër në Europë.